E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi: Presidenti ka detyrim të bashkëpunojë me Kuvendin

11/06/2011  Gjykata Kushtetuese bën interpretimin për emërimet në Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë

Mazhoranca është shprehur se kandidaturat nuk janë konsultuar me Kuvendin

President i Republikës e ka detyrim ligjor bashkëpunimin me Kuvendin kur është fjala për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese - ky është interpretimi që i bëri dje gjykata më e lartë e vendit kërkesës së mazhorancës për interpretimin e nenit 125 të Kushtetutës, i cili kërkon ripërtëritjen e 1/3 të trupës së anëtarëve një herë në 6 vjet. Në fakt, Presidenti i Republikës kishte dërguar për votim gjashtë dekrete, nga nëntë që është trupa e Gjykatës Kushtetuese, ose e shprehur në shifra zëvendësimin e 2/3 të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu nga ana e saj maxhoranca ka vërejtur se në emërimin e gjyqtarëve nuk është marrë më parë dhe mendimi i deputetëve si organi më i lartë ligjvënës, çka solli që një vit më parë të bllokoheshin dekretet e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendimi

Por gjithçka ka marrë fund dje, kur Gjykata Kushtetuese i ka njohur të drejtën deputetëve të Shqipërisë, që të njihen më parë me kandidaturat që vijnë nga kreu i shtetit, pavarësisht se është atribut i këtij të fundit propozimi i tyre në këto nivele. “Gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë janë interpretuesit e parë të normës kushtetuese prandaj, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë për të siguruar një përbërje cilësore të kësaj gjykate”, - thuhet në vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese. Për sa i përket zëvendësimit në shumicë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, siç ka kërkuar Presidenca, vetë ky organ e ka cilësuar këtë veprim si të pabazuar në nenin 125 të Kushtetutës, e cila, sipas saj, kërkon ripërtëritjen e kësaj trupe një herë në tre vjet, por jo më shumë se tre anëtarë. “Parashikimi i nenit 125/3 të Kushtetutës përbën një parim organizativ, i bazuar në veçoritë specifike të procesit kushtetues dhe që ka për qëllim ruajtjen në përbërje të Gjykatës Kushtetuese të një shumice prej dy të tretave të anëtarëve në detyrë, duke bërë të mundur krijimin e një përvoje juridike të posaçme në fushën e gjykimit kushtetues. Kjo përvojë e përftuar nga Gjykata, duke qenë se ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e vendimmarrjes së saj, konsiderohet një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta. Gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm për të respektuar nenin 125/3 të Kushtetutës është kompetencë e ligjvënësit kushtetues.”

Presidenti

Me shkresën drejtuar Gjykatës Kushtetuese Presidenti shprehet se kompetencat për emërimin e gjyqtarëve janë ushtruar sipas atributeve që Kushtetuta ka parashikuar për Presidentin. Presidenti e vlerëson të përmbushur funksionin e tij kushtetues, voton ose jo Kuvendi për to

Për Kuvendin

Gjykata vëren se funksioni më i rëndësishëm i pushtetit ligjvënës në një shtet të së drejtës është nxjerrja e ligjeve dhe është në kompetencë vetëm të Kuvendit, që, nëse vlerëson se dispozita të ndryshme kanë nevojë për ndryshime ose plotësime, të ushtrojë funksionin e tij

Bashkëpunimi

Gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese Presidenti dhe Kuvendi janë interpretuesit e parë të normës kushtetuese, prandaj, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues, duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›