E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajoni i Ballkanit, “nën varësinë” e euros

11/06/2011  Shtetet ballkanike po përdorin masivisht euron, gjë që është favorizuar edhe nga sistemi bankar

Përdorimi i tepërt i euros nuk është defekt vetëm i ekonomisë shqiptare, por edhe vendeve të tjera fqinje. Shtetet ballkanike po përdorin gjithmonë e më shumë këtë valutë në ekonomitë e tyre, krahas monedhës së tyre kombëtare. Një “preferencë” që shoqërohet me kosto, të cilat rëndojnë kryesisht mbi qytetarët. Këtë dobësi të përbashkët e ka vënë në dukje edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Përpara guvernatorëve të bankave qendrore të rajonit, ai ka theksuar se përdorimi masivisht i monedhës së përbashkët evropiane u shoqërua me probleme gjatë periudhës së krizës financiare globale dhe ky është një sinjal për kujdesin që duhet treguar.

“Ndikimi i krizës financiare ndërkombëtare në vendet e rajonit tonë ishte i pranishëm, për shkak të disa dobësive që ishin krijuar gjatë fazës së rritjes ekonomike. Së pari, afërsia e vendeve tona dhe përqendrimi i tregtisë me zonën e Bashkimit Evropian, si edhe lëvizjet migratore, kanë sjellë përdorimin e euros në një masë të konsiderueshme brenda ekonomive të rajonit. Rritja ekonomike është financuar në masë të rëndësishme me burime të huaja, në formën e huamarrjes në valutë nga sektori publik, sektori financiar, bizneset dhe familjet”,- ka deklaruar Fullani.

Kreu i Bankës së Shqipërisë ka theksuar edhe prirjen e bankave drejt euros, si një monedhë shumë e lëvruar në kreditim. “Bankat e kanë një pjesë të konsiderueshme të detyrimeve në valutë, e gjithashtu edhe një pjesë të mirë të portofolit të kredive. Kreditimi në valutë ka qenë mbizotërues dhe i parapëlqyeri nga palët. Shkak për këtë ishte një kombinim faktorësh që lidheshin me një prirje pozitive të kursit të këmbimit, norma më të ulëta të interesit dhe mundësi të mira të sektorit bankar për të financuar këto kredi në tregjet e shumicës. Financimet në valutë për sektorin privat dhe familjet, janë përdorur në një masë të konsiderueshme për konsum”,- ka shtuar guvernatori.

Rreziqet e ekonomisë shqiptare nga euro

Në Shqipëri mallrat kryesore shiten në euro, edhe pse qytetarët i kanë të ardhurat në lekë. Kështu, çmimet e shitjes së apartamenteve janë në euro, ato të makinave gjithashtu, kontratat lidhen në monedhën euro, gjatë sezonit të verës dhomat e hoteleve apo shtëpive të pushimit gjithashtu ofrohen në euro, në shumë butikë veshjet shiten në euro etj.

"Euromania" ka përfshirë qytetarët shqiptarë gjatë viteve të fundit, duke e shndërruar monedhën e përbashkët evropiane në valutën e preferuar. Një prirje që vjen duke u theksuar dhe që është me pasoja jo vetëm për monedhën tonë kombëtare, lekun shqiptar, edhe për vetë ne. Kjo pasi duke përdorur euron si monedhë kryesore në shumë produkte, veçanërisht ato që janë me kosto më të lartë, ne përballemi me riskun e kursit të këmbimit, që do të thotë se pagesës që duhet të bëjmë, i shtohet edhe kosto e transaksionit. Vitet e fundit, euro ka forcuar ndjeshëm pozitat e saj kundrejt lekut shqiptar, i cili është zhvlerësuar në mënyrë të vazhdueshme duke filluar nga fundi i vitit 2008, periudhë kur globi u përfshi nga kriza financiare globale. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2009, monedha jonë u zhvlerësuar në masën 13 për qind kundrejt euros dhe në vitin 2010, zhvlerësimi ishte 11 për qind. Ky nënçmim vijon ende. Gjatë kësaj jave, monedha evropiane ka shënuar një tjetër rekord në tregun tonë të këmbimit, duke kapur nivelin e 142.9 lekëve.

Rrisqet që vijnë nga “euromania”

Fenomeni "euromania" mbart jo pak rreziqe. Kryesori është ai që vjen nga kursi i këmbimit. Në këtë periudhë të mbiçmimit të euros dhe zhvlerësimit të lekut blerja e produkteve në euro apo edhe marrja e kredisë në këtë monedhë nuk është aspak me leverdi për qytetarët, të cilët të ardhurat mujore të tyre i kanë në lekë. Kjo pasi përveç normës së interesit (në rastin e kredisë) ata duhet të paguajnë edhe koston e transaksionit.

Kjo është arsyeja që Banka e Shqipërisë u ka rekomanduar bankave të nivelit të dytë që të nxisin kreditimin në lekë kundrejt atij në valutë, me qëllim që të shmanget rreziku i kursit të këmbimit, që shkakton si përfundim, rritjen e kredisë me probleme (kredisë që nuk kthehet). Ky tregues ka pësuar rritje të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit dhe në

Bankat

Interesa të ulëta për kreditë në euro

Preferenca e qytetarëve për të përdorur gjithmonë e më shumë euron ka orientuar edhe politikat e bankave në produktet dhe shërbimet që ato ofrojnë. Madje, kjo zgjedhje drejt euros ka ndikuar edhe në përcaktimin e normave të interesit të kredive që ka ofruar sistemi bankar. “Për sa i përket ecurisë së normave të interesit në tregun e kredive ato janë luhatur, në rritje për lekun dhe në rënie për euron, ndonëse ky zhvillim gjykohet se përfaqëson politikat e veçanta të bankave për segmente të caktuara të ekonomisë”,- ka deklaruar pak kohë më parë guvernatori Fullani. Kjo tendencë po ndodh në një kohë kur Banka e Shqipërisë prej muajsh bën apel për rritje të kreditimit në lekë dhe ulje të huadhënies në euro, për të shmangur kështu riskun e kursit të këmbimiot për klientët dhe mbrojtur bankat nga moskthimi i kredive. Një apel që mesa duket ka rënë në “vesh të shurdhët”.

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se rreth 75 për qind e totalit të kredisë që kanë dhënë bankat është në valutë të huaj dhe kryesisht në euro. Kjo ka ndodhur pasi gjithçka vërtitet sipas një rrethi vicioz. Klientët kërkojnë më shumë kredi në euro dhe bankat nga ana e tyre, akordojnë më shumë këtë lloj kredie, duke ofruar edhe interesat më të leverdishme për të qenë konkurruese në një treg, ku operojnë gjithsej 16 banka me kapital të huaj dhe të përbashkët. Nga ana tjetër, normat më të ulëta të interesit nxisin kërkesën për kreditë në euro kundrejt atyre në lekë. Preferenca për të marrë kredi në euro dhe për të blerë produkte në euro është mbizotëruese si te bizneset, ashtu edhe te individët.

Në këto kushte, për të nxitur kreditimin në lekë, Banka e Shqipërisë mori pak kohë më parë vendimin për heqjen e remunerimit të rezervës së detyruar në valutë për bankat. “Përdorimi i valutës së huaj në nivele të larta në sistemin bankar dhe në ekonomi mbetet një ndër dobësitë e ekonomisë shqiptare. Duke shprehur interesin e tij për të adresuar këtë problem, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori vendimin për heqjen e remunerimit të rezervës së detyruar në valutë. Kjo masë, efektivisht do t’i nxisë bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve, duke favorizuar ndërmjetësimin në monedhën vendase”,- deklaroi guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani.

Debati i hapur

Euro në vend të lekut?

Përballë preferencës së shqiptarëve për të përdorur gjithmonë e më shumë euron, pyetja që lind natyrshëm është: Sa gati është ekonomia shqiptare që të zëvendësojë monedhën e saj me euron? Debati lidhur me këtë çështje mbetet i hapur mes ekspertëve. Banka e Shqipërisë e ka konsideruar të parakohshme një proces të tillë. Sipas guvernatorit Fullani, leku është një monedhë e qëndrueshme që iu ka bërë ballë “sfidave”, si kriza globale, duke u “zhvlerësuar shumë më pak se monedhat e tjera”. Por nga ana tjetër, zëvendësimi i lekut me euron nuk është vetëm një çështje dëshire. Kjo pasi Shqipëria duhet të plotësojë disa kushte, ku kryesori është mbajtja nën kontroll e deficitit buxhetor, një tregues ende "i pabindur" për financat publike.

1 euro=143 lekë

Rekordi i ri në tregun e këmbimit

Gjatë kësaj jave, euro i është afruar kuotës së 143 lekëve në tregun tonë të këmbimit, ndër nivelet më të larta të viteve të fundit. Monedha e përbashkët evropiane ka fituar ndjeshëm pikë si kundrejt dollarit ashtu edhe lekut shqiptar. Në agjencitë valutore monedha amerikane është blerë me 97.4 lekë dhe është shitur me 98 lekë, ndërsa euro është këmbyer me 142.4 lekë në blerje dhe me 142.9 lekë në shitje.

Përfaqësuesit e agjencive të këmbimit tregojnë se forcimi i euros është pasojë e ecurisë së bursave ndërkombëtare. Në tregjet financiare botërore monedha e eurozonës ka fituar ndjeshëm pikë gjatë kësaj jave, duke u këmbyer me 1 dollar e 44 cent. Përveç bursave, një tjetër faktor që ndikon është mungesa e valutës në treg. Përballë kërkesës në rritje dhe ofertës së paktë, ekuilibrat në tregun e këmbimit janë prishur, duke çuar në zhvlerësimin e lekut kundrejt monedhës së Eurozonës. Një euro e fortë ka më shumë disavanzhe se avantazhe për ekonominë tonë. Kjo pasi preken të gjithë klientët e bankave që kanë marrë kredi në këtë monedhë, pasi ata do të paguajnë më shumë për këstet mujorë, ku normës së interesit ju shtohet edhe kosto e transaksionit.

Gjithashtu pritet të shtrenjtohen importet, çka do të shoqërohet me rritje të çmimeve në treg, por edhe me shtim të të ardhurave për administratën doganore. Forcimi i euros ka kosto edhe për buxhetin e shtetit, pasi do të shtrenjtohen pagesat për borxhin e jashtëm. Të favorizuar janë eksportuesit, norma e fitimit të së cilëve do të rritet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›