E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ndaj operatorit të Top-Channel, protesta përpara kryeministrisë

protesta e gazetareveGazetarë të shtypit të shkruar dhe atij televiziv, analistë si dhe me dhjetëra qytetarë kanë protestuar ditën e djeshme përpara kryeministrisë për dhunën e ushtruar ndaj operatorit të Top Channel Gent Ballta nga zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Përfaqësuesit e medias të pranishëm në protestë dënuan aktin e dhunës ndërsa shtuan se policia duhet ti mbrojë gazetarët dhe jo ti dhunojë ata. Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve kërkoi që çdo njeri i veshur me pushtet të mos guxojë të verë dorë ndaj gazetarëve që janë në mision të informimit publik. “Unioni i Gazetarëve përkrah të gjithë ata kolegë që kërkojnë ndihmë dhe janë në misionin e zbulimit të të vërtetave”, tha Çipa.
Ngjarja
Dhuna ndaj operatorit të Top Channel, u ushtrua të dielën pasdite pas përfundimit të ndeshjes, Tirana-Skënderbeu. Ndërkohë që pas denoncimit të këtij rasti, Policia e Shtetit njoftoi të martën se është pezulluar nga detyra zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, si autor i dhunës ndaj operatorit, Gent Ballta. Lidhur me rastin e bërë publik nga televizioni Top Channel, që bën fjalë për dhunimin e operatorit të këtij televizioni, nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është marrë masa e pezullimit paraprak nga detyra, ndaj zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, z. Erzen Breçani, pasi ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore, thuhej në deklaratën e Policisë së Shtetit. Ndërkohë më herët, Top Channel iu drejtua, me anë të një letre, ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, dhe për dijeni kryeministrit Sali Berisha, ku shprehu protestën për ngjarjen e rëndë dhe dhunimin e operatorit nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Qarkut Tiranë, Erzen Breçani, për më tepër brenda në ambientet e Komisariatit numër 1.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›