E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nuk ka të ardhme te Arminia


Bielefeld, 26 gusht - Sulmuesi kosovar Besart Berisha është në mesin e futbollistëve që do të largohen nga skuadra Arminia Bielefeld, shkruan të mërkurën sajti gjerman "nw-news.de".

Trajneri i skuadrës së Bundesligës 2, Christian Ziege ka bërë të ditur se nuk do të pengojë largimin e Berishës nëse klubi pranon ndonjë ofertë për të. 25-vjeçari Berisha është njëri nga tre lojtarët e Bielefeldit që pritet të largohen para përfundimit të afatit kalimtar. Ai me Arminian ka kontratë deri në qershor të vitit 2012.

"Nëse kemi oferta për Berishën, atëherë nuk do të pengojmë kalimin e tij në ndonjë skuadër tjetër", ka deklaruar trajneri Ziege.

Berisha në verën e vitit të shkuar kaloi në Bielefeld si futbollist i lirë. Edicionin e kaluar regjistroi dhjetë paraqitje në Bundesliga 2, ndërsa pati dy asistime. Ai nuk u grumbullua fare me skuadrën për takimin e parë të edicionit të ri. Më herët ka luajtur për Horsensin në Danimarkë, Rosenborgon në Norvegji, Burnleyn në Angli dhe Hamburgun në Gjermani. Për Kombëtaren e Shqipërisë, Berisha ka shënuar dy gola në 14 paraqitje.

Trajneri Zige synon që me shitjen e disa lojtarëve të krijojë fond për blerjen e futbollistëve të rinj. Sipas sajtit gjerman, njëri prej lojtarëve që mund të afrohen te Bielefeldi është mesfushori kosovar Shqipron Skeraj. Skeraj aktualisht është pa skuadër, ndërsa edicionin e kaluar ishte pjesë e Koblenzit në Bundesliga 2. Më herët është provuar në Bielefeld. Vetë futbollisti ka thënë për gazetën se tashmë ka arritur marrëveshje me Bielefeldin. 

"Kam arritur marrëveshje me drejtuesit e klubit dhe trajnerin e Bielefeldit. Ka mbetur që gjatë kësaj jave të nënshkruaj kontratë. Besoj se kontrata do të jetë dy apo trevjeçare. Me rëndësi për mua është që gjeta klub dhe që do të luaj sërish në Gjermani", ka thënë Skeraj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›