E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palestrat kosovare ende me dimensione të vjetra

Prishtinë, 26 gusht - Vetëm në njërën nga gjashtë palestrat ku do të zhvillohen ndeshjet e edicionit të ri të Superligës së Kosovës në basketboll janë përshtatur dimensionet e fushës me ato që kërkohen me rregullat e reja që do të aplikohen nga një tetori. Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën komisari i garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Nazmi Paçarada. FBK-ja ka vendosur që në kampionatin e ri të aplikojë rregullat e reja që në shtetet anëtare të FIBA-s janë të obligueshme të aplikohen nga një tetori. FBK-ja nuk është pjesë e FIBA, por respekton vendimet e saj pasi synon që së shpejti të anëtarësohet në shtëpinë botërore të basketbollit.

"Në palestrën 'Karagaçi' ku zhvillon ndeshjet skuadra e Pejës është ndërruar plotësisht parketi dhe vijat e fushës së basketbollit janë vënë në përputhje me rregullat e reja që hyjnë në fuqi nga një tetori. Palestrat e tjera ende nuk kanë bërë ndryshimin e dimensioneve të fushës, përkatësisht vijave", ka thënë Paçarada.

Ndryshimi kryesor në rregulla është lëvizja e largësisë së vijës së trepikëshit. Nga një tetori vija e trepikëshit do të jetë 6,75 metra larg koshit e jo 6,25 sa ishte deri më tani. Po ashtu është ndryshuar edhe forma e hapësirës kufizuese pranë koshit. Ajo deri më tani kishte formën e trapezit, ndërsa nga një tetori do të ketë formën e katërkëndëshit. Në afërsi të koshit do të shtohet edhe një gjysmërreth, që nuk ishte deri më tani. Ndryshime ka pësuar edhe rregulla e 24-sekondëshit, ndërsa ndryshime janë bërë edhe në futjen e topit në lojë nga vijat anësore.

Përveç në Pejë, ndeshjet e Superligës në edicionin 2010/2011 do të zhvillohen edhe në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Vushtrri dhe Bardhosh.

"Para një muaji i kemi dërguar shkresë sektorit për infrastrukturë të Departamentit të Sportit. Në Departament të Sportit kanë thënë se nuk kanë mjete të dedikuara për infrastrukturë. Po ashtu kemi kërkuar nga klubet që në bashkëpunim me menaxhmentin e palestrave të gjejnë zgjedhje për ndryshimin e vijave", ka shtuar komisari Paçarada. Sipas tij është e domosdoshme që deri në fillim të tetorit në të gjitha palestrat të ndryshohen dimensionet e fushës pasi garat nuk mund të fillojnë në fusha që kanë dimensione të ndryshme.

"Në bazë të një llogarie që e kemi marrë nga Departamenti i Sportit për ndryshimin e vijave në një palestër duhen 2500 deri në 3000 euro", ka shtuar Paçarada.

Në palestrën "Minatori" në Mitrovicë pritet që vijat të ndryshohen para fillimit të kampionatit. Në "Minatori" në edicionin e ri do të luajnë tri skuadra, Trepça, Mitrovica dhe Bambi. 

"Kuvendi Komunal ka hapur tender për të bërë ndryshimin e vijave në fushë të basketbollit. Janë paraqitur disa oferta dhe presim që shpejt të bëhen ndryshimet e nevojshme", ka thënë sekretari i klubit Trepça, Kemajl Muja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›