E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha nuk lëshon pe për KQZ: Pretendimet e Ramës qesharake, kodi e përcakton qartë

Përkundër një kërkesë të përsëritur për reflektim nga opozita e bashkuar, Kryeministri Berisha nuk parashikon kthim prapa për KQZ. Në mbledhjen e kryesisë së PD mbrëmjen e së shtunës kreu i selisë blu u tregua i prerë me rivalin e tij politik, ku deklaroi se kodi zgjedhor e përcakton qartë përbërjen pozitë-opozitë, duke lënë të kuptohet se nuk do këtë asnjë negociatë në tavolinë, përkundër detyrimit të palës tjetër të sjellë dy kandidaturat për vakancën e krijuar pas tërheqjes së dy anëtarëve të KQZ.

Më duhet tju them se koncepti i zotit Rama se meqenëse një parti e koalicionit qeveritar kalon në anën e opozitës, mendimi i tij se tani është edhe opozitë edhe qeveri, është thjesht marrëzi. Kushtetuta e vendit e ka te përcaktuar kush është qeveri dhe kush është opozitë. Në të gjitha ligjet e vendit balanca e institucioneve të zgjedhjeve është balancë midis qeverisë dhe opozitës tha Berisha.

Në këtë kontekst, ndërsa akuzoi kryetarin e opozitës Edi Rama se po përdor KQZ-në si objekt bllokimi, ai e siguroi se ai dhe qeveria e tij mbeten të angazhuar vetëm për një gjë, organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Rama kërkoi të shtyjë zgjedhjet, nuk do shtyhen asnjë ditë. Rama vuan nga sindroma e kleoptomanisë. Ajo që kërkon është qesharake. Ramës i duket sikur cdo gjë po i vidhet. Ne garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme deklaroi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›