E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nuk pranon hapjen e kutive: Opozita të vijë në Kuvend

Mazhoranca vazhdon të bëjë ftesë që opozita të hyjë në Kuvend, pranon që sugjerimet e ndërkombëtarëve të menaxhohen nga socialistët për të gjitha reformat, por nuk lëshon pe për hapjen e kutive. Kompromisi që demokratët duhet të bëjnë për të kthyer opozitën në Kuvend, duket se do të jetë më i vështirë nga ai që Kryeministri Berisha kishte parashikuar. Lidhur me opozitën, Kryeministri garantoi se do të dëgjohet zëri i saj në reformat që mazhoranca do të marrë. "Garantoj opozitën se do pranoj përcaktimet e tyre, sepse opozitës duhet t‘i japësh garanci maksimale", tha ai. Kryeministri shtoi se vendet në Parlament ua kanë dhënë zgjedhësit dhe i kanë aty kur të vendosin të vijnë. Në mënyrë indirekte, Kryeministri ka lënë të kuptohet se nuk e mbështet tezën e hapjes së kutive të votimit, e cila është edhe një prej kërkesave kryesore të opozitës. Duke iu përgjigjur kundër hapjes së kutive, Kryeministri theksoi se ndërkombëtarët vlerësuan zgjedhjet dhe opozita duhet të shkojë në Kuvend. "Zgjedhjet janë një proces themelor i një demokracie, në të cilat në të gjithë botën e qytetëruar pranohet një arbitër. Pasi ai bën përfundimin, mendoj se asnjëra palë nuk ka më dhe nuk mund të ketë të drejtë të mos i përmbahet verdiktit të tyre", komentoi Kryeministri. Berisha bëri dje para mediave panoramën e vizitës zyrtare 7-ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tregoi detajet gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kryeministri e cilësoi sesionin e 64-t të OKB-së si një rëndësi historike. Kryeministri bëri me dije se Shqipëria kishte pozicionin e saj modest në samitin e OKB-së. "Sikur bota të ishte jo në përqindjen e Shqipërisë, por në gjysmën e kësaj përqindjeje, ju sigurojë se ndotja e klimës nuk do të ishte ajo që është sot", tha Berisha, duke komentuar pjesëmarrjen e tij në samitin me temën ndryshimet klimaterike. Berisha veçoi se Shqipëria është i pari vend në botë pa armë kimike, duke vlerësuar në këtë rast miratimin e rezolutës për shkatërrimin e armëve bërthamore. Takimi me Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama, dhe Zonjën e Parë, ishte një tjetër moment i rëndësishëm i vizitës 7-ditore të Kryeministrit Berisha në New York. "Ftova Presidentin dhe Zonjën e Parë të vizitojnë Shqipërinë. Presidenti e vlerësoi ftesën time dhe u ndava i bindur se ai dhe zonja e tij do ta vizitojë Shqipërinë", tha Berisha. "Qëllimi im ishte të loboja fuqishëm dhe të paraqisja çështjen e njohjes së Kosovës", tha ai. Kryeministri sqaroi se delegacioni i tij kishte tre qëllime kryesore: integrimin e Shqipërisë në BE, marrëdhëniet bilateriale dhe lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. "Në këto takime, çështja e integrimit të Shqipërisë dhe heqja e vizave kishte vend të veçantë. As nuk kam kërkuar dhe as nuk kërkoj mbështetje tjetër, përveçse atë të bazuar në performancën e Shqipërisë", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›