Berisha: Unë punoj për të ardhmen. Ministria ta rishikojë
Debati i historisë së vitit të fundit në gjimnaz, me kthimin e kryetarit të Këshillit të Ministrave nga SHBA është përshkallëzuar deri në selinë e Kryeministrisë. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, pohoi se historia do rishkruhet, sepse ajo është e fshehur, por sipas tij ajo do nxjerrë të vërteta. Megjithëse nuk e cilësoi veten si historian, por si mik i pasionuar pas historisë, Kryeministri Berisha bëri me dije se e ka ndjekur debatin dhe se mendimi i tij është se historia duhet të jetë e vërtetë dhe objektive. "Nuk e kam lexuar, por nga ato çka kam ndjekur nga mediat, ka paraqitur regjimin kleptokratik që ne e përmbysëm në 2005-ën tërësisht nën klishenë e vjetër. Në histori nuk ecet bardhezi dhe ajo çka duhet të them është se historia duhet të rishikohet dhe shqyrtohet dhe këtu nuk heq asnjë presje, por duhet rishikuar me objektivitet", tha Berisha, duke shtuar se nuk punon për historinë, por punon për të ardhmen. "Sidoqoftë MASH do ta shqyrtojë çështjen, sepse nuk mund të them pavarësisht nga notat politizuese që janë shprehje të një stadi të prapambetur, sepse akoma sot pas 20 vitesh në mendjen e këtyre njerëzve funksionon skema e Enver Hoxhës", tha Berisha. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri shtoi se "të mendosh që çunat e bllokut, si Kristaqi dhe Xhelili të mbrojnë historinë, mjerë për historinë".