E Shtunë, 31 Tetor 2026

LINDSHMERIA NE NDESHJEN E QYTETERIMEVE

Shpeshherë kur diskutohet për marrëdhëniet midis Europës dhe Azisë, ose midis "Perëndimit" dhe "Lindjes", këto dy njësi konceptohen si antagoniste. Me fjalë të tjera, "Europa" dhe "Azia" shfaqen si dy njësi homogjene, bartëse të dy thelbeve, shpirtrave, historive, qytetërimeve, kulturave etj., që jo vetëm janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por të kundërta dhe të papajtueshme. Në Europë dëgjohen politikanë dhe intelektualë që thonë se, megjithëse Azia është inferiore ndaj Perëndimit për sa i përket zhvillimit e kulturës, ajo gjithsesi përbën një rrezik për Perëndimin, sepse frymën aziatike e përshkruan një zili dhe urrejtje ndaj Perëndimit.

Ky interpretim, i thjeshtuar në maksimum, i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitike është pjesë e asaj që kritiku Eduard Said e ka emërtuar si "orientalizëm" dhe e ka përkufizuar si "një stil mendimi i bazuar mbi një dallim ontologjik e epistemologjik, që bëhet midis ‘Orientit‘ dhe (në shumicën e rasteve) ‘Oksidentit‘", si edhe "një shpërndarje e vetëdijes gjeopolitikë në tekste estetike, akademike, ekonomike, sociologjike dhe gjuhësore". Një ideologji e kohëve të fundit, që është ndikuar prej orientalizmit, thotë që pas betejave të mëdha të shekullit XX midis liberalizmit, fashizmit e komunizmit, ndeshjet e ardhshme në shkallë botërore do të ndodhin midis qytetërimeve, të cilat në këtë rast nënkuptojnë grupime të mëdha të kulturave që kanë të përbashkët një traditë fetare.

Kjo tezë lidhet më emrin e të ndjerit Samuel Hantington dhe ithtarët e tij vënë theksin te lufta kundër terrorizmit si prova më bindëse që ai ka pasur të drejtë. Sipas tyre, Perëndimi ndodhet në luftë me qytetërimin islamik ose me Azinë islamike. Gabimi që ata bëjnë është se u veshin qëllimtësi politike qytetërimeve. Ana e kundërt e orientalizmit, por aq e gabuar në premisën e saj është "oksidentalizmi", në të cilin Perëndimi shihet si fajtori i vetëm apo kryesor i gjithçkaje që shkon keq në rajone të ndryshme të botës. Edhe ky qëndrim, i propaganduar fuqishëm në ditët tona prej disa rrymave fondamentaliste islamike, përkrah, nga ana e kundërt, tezën e ndeshjes së islamit me Perëndimin.

Sidoqoftë, gjithmonë sipas perspektivës orientaliste së ndeshjes së Perëndimit/Europës me Azinë, aktet terroriste nuk janë rreziku i vetëm që i kanosen Perëndimit. Nën tezën e "ndeshjes së qytetërimeve" ndodhet shqetësimi për "rënien e Perëndimit", një frikë kjo se Perëndimi do të humbasë në konkurrencën me qytetërimet e tjera dhe se do të dominohet prej tyre. Edhe ky shqetësim është i hershëm. Darvinizmi shoqëror dhe eugjenetika lindën si përgjigje ndaj frikës së degjenerimit dhe zhdukjes së racës së bardhë. Tendencat demografike, veçanërisht rënia e numrit të lindjeve (fertilitetit) në Europë citohen shpesh si një shenjë e "vdekjes" së ngadaltë të Perëndimit, të racës së bardhë, apo të skenarit të pushtimit të Europës nga imigrantët myslimanë, midis të cilëve lindshmëria është më e lartë.

Më poshtë, po japim shembuj të përdorimit të lindshmërisë së lartë për të arsyetuar mbi sulmin e qëllimtë të një qytetërimi apo një kulture ndaj një tjetre.

Shembulli i parë është nga SHBA dhe nga vetë Hantingtoni. Libri i tij i fundit "Kush jemi ne?", merret edhe me rrezikun e shndërrimit demografik dhe kulturor të Amerikës si pasojë e imigrimit nga Meksika. Hantingtoni thotë: "Imigrimi meksikan po çon drejt reconquista-s demografike të zonave, që amerikanët i morën me forcë nga Meksika në vitet 1830-1840... Këto ndryshime nuk shkaktohen vetëm nga imigrimi, por edhe nga fertiliteti... Qeveritë e shohin në interesin e tyre nxitjen e emigrimit, shtrirjen, mobilimin dhe organizimin e diasporave të tyre; ndërsa vendet e zhvilluara e ushtrojnë ndikimin në çështjet botërore me anë të eksportit të kapitaleve, teknologjisë, ndihmës ekonomike dhe fuqisë ushtarake, vendet e varfra dhe të mbipopulluara e ushtrojnë ndikimin e tyre me anë të eksportit të njerëzve".

Shembulli i dytë, më pranë nesh, është nga njëri prej librave më të shitur të Oriana Falaçit, "Forca e arsyes", i shkruar menjëherë pas atentateve terroriste të Madridit më 2004. Ajo shkruan: "Politika e mitrës, d.m.th. strategjia e eksportimit të qenieve njerëzore dhe lindjeve të shumta, gjithmonë kanë qenë mjeti më i drejtpërdrejtë për të marrë nën kontroll një territor, për të dominuar një vend, për të zëvendësuar një popull me një tjetër, ose për të nënshtruar një popull... Në të gjitha xhamitë europiane, lutjet e së premtes shoqërohen me një thirrje drejtuar të gjitha grave myslimane ‘për të lindur të paktën pesë fëmijë secila‘. Pesë fëmijë nuk janë pak. Në rastin e imigrantëve, me dy gra, pesë bëhen dhjetë. Ose të paktën dhjetë. Në rastin e imigrantëve me tri gra, bëhen pesëmbëdhjetë. Ose të paktën pesëmbëdhjetë".

Të dyja citatet akuzojnë imigrantët për zbatimin e një strategjie politike ndaj vendeve pritëse. Në rastin e Falaçit bëhet fjalë për myslimanët nga Turqia, Lindja e Mesme, Afrika e Veriut, por edhe nga Europa, siç mund të jenë imigrantët boshnjakë dhe shqiptarë në Itali a shtete të tjera. Falaçi nuk është e vetmja që ka të tilla mendime. Shpesh refuzimi i anëtarësisë së Turqisë në Bashkimin Europian bazohet në argumentin që Turqia ka lindshmëri të lartë dhe do të kthehej, për pasojë, në vendin me popullsi më të madhe në këtë organizatë. Si Hantingtoni, si Falaçi i veshin qëllimtësi lindshmërisë. Sipas tyre, janë qeveritë ose prijësit fetarë që po përpilojnë strategjinë e dominimit të Perëndimit me anë të lindjeve dhe ndryshimit të demografik. Me fjalë të tjera, ata aludojnë për një luftë të fshehtë, apo luftë me mjete të tjera.

Shembulli ynë i tretë dhe i fundit vjen nga një rajon, ku ndodhemi edhe ne shqiptarët, nga Ballkani. Siç ndodh rëndom, ajo që në Europë thuhet nën zë, këtu thuhet me zë të lartë. Shumë prej akademikëve dhe intelektualëve serbë, në vitet 1980 dhe 1990, flisnin për një "xhihad demografik" të boshnjakëve dhe shqiptarëve kundër serbëve dhe Europës mbarë. Këto aludime për një luftë të fshehtë kundër tyre justifikuan luftën e hapur dhe gjenocidin që serbët u përpoqën të realizonin në Bosnjë e Kosovë. Në mesin e luftës së NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, politikanë dhe intelektualë serbë i përgjëroheshin Perëndimit se serbët realisht po e mbronin Europën kundër "aziatikëve". Si dëshmi të "europianitetit" dhe "qytetarisë" të tyre, ata citonin edhe lindshmërinë e ulët të grave serbe, dhe si dëshmi të "azitetit" e "barbarisë" shqiptare ata citonin edhe lindshmërinë e lartë të grave kosovare.

Për të përmbledhur: Gjoja kërcënimi demografik i Azisë ndaj Perëndimit nuk ka të bëjë vetëm me demografinë, por edhe me dallimin radikal kulturor që u vishet imigrantëve, me "tjetërinë" e tyre. Hantingtoni, Falaçi dhe të tjerë frikësohen se Perëndimi, siç e njohim ne sot, nuk do të jetë në të ardhmen: Europa do të bëhet "Eurasia" dhe Amerika do të bëhet "Ameksika". Një ligjërim i tillë qëndron mbi interpretime të njëanshme të të dhënave demografike, sepse shifrat e lindshmërisë shkëputen prej shkaqeve dhe konteksteve të ndryshme shoqërore, ekonomike, kulturore etj., dhe shpjegohen vetëm me anë të politikës, shprehimisht si një strategji politike. Në një kohë kur shtetet europiane kanë nevojë për imigrantë të rinj për të mbajtur në këmbë ekonomitë e tyre dhe sistemet e mirëqenies shoqërore, efektet që prodhon ligjërimi orientalist i ndeshjes së qytetërimeve është urrejtja ndaj imigrantëve dhe ngritja e pengesave politike dhe kulturore për integrimin e tyre në shoqëritë pritëse. Një ligjërim i tillë gjithmonë është artikuluar nga e djathta e skajshme, por tani ai po depërton edhe në politikën e qendrës, edhe në opinionin publik.

Për përkrahësit e tezës së ndeshjes së qytetërimeve, ne shqiptarët gjendemi në krahun e kundërt, shpesh të etiketuar si "lindorë", apo "aziatikë". Mirëpo, është për të ardhur keq që në Shqipëri ithtarët e kësaj teze gjenden midis atyre intelektualëve që për veten pretendojnë kredenciale kozmopolite dhe emancipuese. Ata mendojnë ta ruajnë vlefshmërinë e kësaj teze për shqiptarët, por thjesht t‘i kalojnë shqiptarët në krahun "e duhur". Mirëpo, kjo është një teknikë ligjërimore që ka pak gjasa për sukses dhe intelektualët tanë fatkeqësisht e shohin veten duke legjitimuar parullat e mbrapshta që ndonjëherë në Perëndim hidhen kundër shqiptarëve. Ajo që duhet mbrojtur është bashkëjetesa dhe ushqimi i ndërsjellë i kulturave nga njëra-tjetra dhe ekzistenca e një qytetërimi botëror të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor ku të gjithë njerëzit e kësaj bote e meritojnë të bëjnë pjesë dhe në emër të të cilit i shpallet luftë "barbarisë" kudo ku ajo ndodhet, jo vetëm në "Perëndim" a në "Lindje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›