E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, i destinuar për një "big" në Premierligë

Lorik Cana është i destinuar që të bashkohet me një prej katër skuadrave "big" në Premierligë. Vetëm dy muaj pasi u transferua në kampionatin anglez, mesfushori i Kombëtares shqiptare i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet e tij. Kualiteti që 26-vjeçari ka treguar në shtatë ndeshjet e para me Sandërlendin e ka kthyer në objektivin e klubeve më të njohura, ku Liverpuli dhe Arsenali janë alternativat kryesore. Aktualisht, të dyja këto skuadra po luftojnë të mbajnë vendin në "top four" (katër më të mirat), përkrah Çelsit dhe Mançester Junajtid. Rreziku kryesor për "Reds" e Rafa Benitez dhe "topçinjtë" e Arsen Venger vjen nga Totenhemi dhe Mançester Siti, që janë shfaqur si konkurrente të denja për një "biletë" në Ligën e Kampioneve. Kjo është arsyeja përse në Angli kanë filluar të studiojnë tregun për merkaton e verës dhe Cana cilësohet si një lojtar shumë interesant. I afruar te Sandërlendi më 24 korrik për "vetëm" 6.5 milionë euro, ai është shfaqur si një prej blerjeve më të goditura të teknikut Brus. Me lojën e fortë në fazën defensive, por edhe aftësitë për të ndërtuar aksionet, kuqeziu është shndërruar në ishullin e tifozerisë në "Stadiumin e Dritave". Deri më tani ai ka fituar katër herë anketën e tifozëve për "lojtarin e ndeshjes", në sfidat me Çelsin, Bllekbërnin, Stok Sitin dhe së fundmi me Hull. Aq i fortë ka qenë impakti i parë i mesfushorit shqiptar në Angli, saqë tashmë është ngritur pyetja nëse ai do të vazhdojë të luajë me Sandërlendin edhe pas muajit janar. Tek Arsenali e njohin mirë kualitetin e Canës: Venger u interesua për të që prej vitit 2003, kur lojtari ishte pjesë e PSG-së. Trajneri francez vazhdon të kërkojë dëshpërimisht zëvendësuesin ideal të Patrik Vieirasë, që do të siguronte mbështetjen e duhur për kapitenin Çesk Fabregas. Zv/kapiteni i Kombëtares mund të luajë edhe shtatë apo tetë vjet në nivele të larta dhe momentalisht "topçinjtë" janë ata që nga katër "të mëdhatë" kanë më shumë nevojë për një mesfushor me tipare mbrojtëse. Gjithsesi, transferimi në "Emirates Stadium" në merkaton e janarit duket paksa i komplikuar, për shkak të problemeve financiare të klubit, ndërsa gjatë verës së ardhshme ekzistojnë shanse reale. Liverpuli është një tjetër skuadër që po vuan mungesën e një lojtari të fortë në mesfushë. Largimi i Ksabi Alonsos drejt Realit të Madridit la një boshllëk, i cili po ia vështirëson jetën trajnerit Benitez, pavarësisht se ai mund të mbështetet te talenti i Benajun, Maskeranos apo Dirk Kuijt. Akuilani, i afruar nga Roma ende nuk është rikuperuar dhe tashmë mbetet për t‘u parë nëse ai është në gjendje të mbështesë si duhet kapitenin Stiven Xherard dhe sulmuesin Fernando Torres. Në të kundërt, Cana është alternativa kryesore për merkaton e verës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›