E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha paralajmëron Olldashin

Kryeministri ka paralajmëruar "furtunë" në Ministrinë e Transporteve, pas mosrealizimeve në vitin 2007
"Çdo pasaktësi në atë raport, do të ketë ndëshkimin proporcional për punonjësit e Drejtorisë së Rrugëve"
Puna tepër e dobët e qeverisë në realizimin e investimeve publike, ka qenë edhe tema e konferencës së djeshme të kryeministrit Berisha dhënë gjatë fillimit të punimeve të autostradës Korçë - Qafë Plloçë. "Nuk e mohoj se kemi një problem, që duhet t'i bëhet i ditur qytetarëve shqiptarë. Në rast se qeveria ia doli që nëpërmjet luftës kundër korrupsionit, evazionit dhe kontrabandës, edhe duke përgjysmuar taksat, të shumëfishojë investimet, nuk mund të them se janë shumëfishuar kapacitetet e kompanive të ndërtimit dhe nuk ka pasur asnjë pengesë tjetër, përveç etjes për fitim. Para dy javësh, vizitova sërish Korçën dhe kryetari i Bashkisë më tha se një kompani ka mbajtur 6 muaj peng qytetin, pasi nuk ndërtonte kanalizimet. Kjo nuk do të mund të tolerohet më. Kompanitë ndërtuese që nuk zbatojnë kontratën, lënë punën nëse nuk zbatojnë grafikun e punimeve, lënë punën! Por nëse i përfundojnë para afatit, ata do të shpërblehen. Duhet të kuptohet se këto nuk janë marrëdhënie me qeverinë apo bashkinë, por janë marrëdhënie direkt me qytetarin. Nga zvarritja e punimeve nuk lëndohet personalisht Kryeministri, ministri, apo kryetari i bashkisë, por lëndohet qytetari, dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë". Sulmi i ditëve të fundit që është bërë nga ana e Berishës për Ministrinë e Transporteve, është i lidhur tërësisht më dështimin e pjesës dërrmuese të investimeve për vitin 2007. Në fund të 11-mujorit 2007, Ministria e Financave raportonte se ishin realizuar vetëm 47 për qind e investimeve, ndërsa rialokimet e fondeve në muajin dhjetor kërkuan që vendimi të kalonte për miratim në Parlament, pasi ndryshonin destinacion 200 milionë dollarë.
Berisha nxjerr kartonin e kuq
Gjatë ditëve të fundit, kryeministri Berisha ka vazhduar që të kërcënojë vazhdimisht kompanitë e ndërtimit që kanë marrë tendera publikë. Sipas Berishës, jo vetëm që këtyre kompanive do t'u anulohet kontrata, por njëkohësisht ato do të humbasin edhe mundësinë për të konkurruar në tenderat publikë. "I kam kërkuar ministrit të Punëve Publike, që çdo të hënë të paraqesë raport të hollësishëm mbi gjendjen e ndërtimeve në rrugë dhe i garantojmë punonjësit e Drejtorisë së Rrugëve se çdo pasaktësi në atë raport, do të ketë ndëshkimin proporcional. Qytetarët duan rrugët dhe qeveria i disponon fondet. Për përfundimin e tyre duhet të punohet edhe me tre turne",- tha Berisha. Sipas Kryeministrit, ato kompani për të cilat mosrealizimi e investimeve sipas afateve në kontrata është një fenomen i përsëritur, do të ketë përjashtim të përhershëm nga punët publike. "Ministri i Punëve Publike u ka bërë të qartë kompanive ndërtuese se grafiku i punimeve është kusht absolut. Disa prej tyre kanë marrë paralajmërimin për karton të kuq. Ne nuk mund të pranojmë që të lëndohen qytetarët shqiptarë, vetëm e vetëm se një kompani apo një tjetër zvarrit në pafundësi përmbushjen e detyrimit kontraktual që ka. Kështu që kjo është e vlefshme për të gjithë",- tha Berisha. Shembujt e mosrealizimit të investimeve publike sipas kontratave janë të shumtë, në çdo qytet të vendit, mund të gjesh rrugë që mbeten pa u përfunduar brenda afateve kohore. Një nga shembujt që është përdorur nga ana e Berishës gjatë ditëve të fundit është rruga Lushnje-Fier. Afatet e mbarimit të kësaj vepre është muaji mars i këtij viti, ndërsa punimet në këta aks rrugor të lënë të kuptosh se edhe marsi i vitit 2009 nuk do jetë i mjaftueshëm për të prerë shiritin. Duke nënvizuar rastin e rrugës Lushnjë-Fier, Berisha ka sulmuar Ministrinë e Transporteve dhe veçanërisht Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, që sipas Kryeministrit është një strukturë tërësisht e kalbur.
Taksat
Kryeministri Berisha ka bërë të ditur gjatë takimit të tij në Korçë se rritja e të ardhurave në buxhet ka ardhur nëpërmjet uljes së taksave dhe rritjes së luftës kundër korrupsionit. "Të gjitha këto janë bërë të mundur, vetëm e vetëm duke luftuar korrupsionin. Ne nuk kemi rritur taksat, e kundërta është e vërtetë, ne kemi përgjysmuar taksat, por ne kemi forcuar disiplinën fiskale, duke goditur korrupsionin në autoritetet tatimore, kemi forcuar disiplinën në dogana, kemi rritur transparencën në procese, ne respektojmë tregun dhe nuk ndërhyjmë në mënyrë të njëanshme. Kjo ka bërë të mundur që ne të disponojmë për këtë vit 1.2 miliardë dollarë më shumë. Kjo ka bërë të mundur që buxheti i këtij vitit të shënojë një stacion të ri për vendin. Duke filluar nga ky vit, qeveria aktuale shqiptare dhe çdo qeveri do të ketë mundësi të parashikojë vepra të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët", - tha Berisha.
Kreu i Qeverisë dhe ministri i Financave, kanë mbrojtur drejtorin e ri të Doganave në Korçë
Berisha e Bode, Sefgjini u shpall i pafajshëm
Berisha: Duhet të kuptohet se, tjetër është akuza dhe tjetër faji dhe fajin e fakton gjykata
Duhet të kuptohet se, tjetër është akuza dhe tjetër faji. Fajin e fakton gjykata dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha tona. Kjo ka qenë edhe mbrojtja që i ka bërë gjatë ditës së djeshme në Korçë kryeministri Berisha, Arben Sefgjinit, Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Tatimeve. Sefgjini është akuzuar nga Prokuroria se ishte një nga pjesëmarrësit në pengmarrjen e më pas zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Biznesmeni u mor peng në mënyrë shumë misterioze nga SHIK-u në vitin 1995. Deri në vitin 1997 familjarët e tij i kanë kërkuar shtetit shqiptar shpjegime, por janë përcjellë nga njëra derë në tjetrën. Hetimet për këtë çështje që kanë filluar në vitin 1997, por edhe ato u lanë përgjysmë. Vetëm në vitin 2003 ato janë rihapur sërish duke sjellë edhe arrestimin e Arben Sefgjinit, Budjon Meçes dhe Avni Kolgjinit, në 22 maj. Sipas akuzës së Prokurorisë, kishte qenë vetë ish-zv/ drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Informativ në kryeqytet, Arben Sefgjini, ai që kishte dhënë urdhrin për kapjen e Remzi Hoxhës. Akuza zyrtare në ngarkim të tij, ishte ajo e "shpërdorimit të detyrës" dhe "ushtrimit të torturës" ndaj shtetasit maqedonas, Remzi Hoxha. Kjo akuzë u rrëzua më pas dhe Sefgjini u shpall i pafajshëm duke lënë qelitë e burgut. Në këto kushte, sipas Berishës, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos kryer këtë detyrë të rëndësishme. "Ka një dallim thelbësor midis demokracisë dhe diktaturës. Në diktaturë, po u akuzove, pavarësisht se mund të mos kesh asnjë faj, je i pashpresë, në demokraci, derisa provohet akuza, cilado qoftë ajo, je i pafajshëm dhe nuk mundet askush të të konsiderojë ndryshe. Në këtë logjikë, ju siguroj se sot ka jo pak ministra, por edhe mbi ministrat në vendet e lira demokratike që kanë pasur jo një, por më shumë akuza të ndryshme",- tha Berisha. Ardhja në krye të Tatimeve e Arben Sefgjinit është firmosur pas shkarkimit të Gerta Picarit. Mosarritja e të ardhurave sipas planit të paraqitur nga ana e Ministrisë së Financave, ka bërë që edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Gerta Picari të lërë detyrën vetëm 6 muaj pas marrjes së saj, duke pasur një jetëgjatësi të shkurtër në detyrë. Sipas burimeve brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, shkarkimi i Picarit ka ardhur me urdhër të drejtpërdrejtë nga kryeministri Berisha. Në vend të Picarit, në krye të Drejtorisë së Tatimeve ka ardhur Arben Sefgjini. Arben Sefgjini, i njohur si një nga tre personat e akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, do të jetë Drejtori i ri i Përgjithshëm i Tatimeve. Më parë Sefgjini ka mbajtur postin e ish- zv/drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Informativ në kryeqytet gjatë viteve 1992-1997 dhe deri dje ka qenë Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit. Largimet e krerëve të Tatim-Taksave, vijnë në një kohë që ky dikaster është përfshirë në një aksion për rritjen e të ardhurave. Vënia nga ana e qeverisë e targeteve tepër të larta për tatimet, ka sjellë një situatë të nderë midis tatimorëve dhe biznesit, gjatë këtyre muajve të fundit. Futja në fuqi edhe e ligjeve të miratuara së fundmi, që parashikojnë marrjen e gjobave në parapagim, sekuestrime të pasurive të biznesit dhe vendimit për pagat e referencës, ka rritur në maksimum pakënaqësitë e sipërmarrjes. Duke qenë në krye të "betejës" të shpallur nga ana e qeverisë për rritjen e të ardhurave, pozicioni i kreut të Tatimeve ka qenë nën presionin e vazhdueshëm të targeteve të larta, që shpeshherë kanë sjellë një klimë të tensionuar marrëdhëniesh shtet-biznes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›