E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat me Maqedoninë, Berisha nuk jep zgjidhje

"Diplomatët e të dy palëve po e trajtojnë problemin për t'i gjetur një zgjidhje"
KORÇË- Kryeministri Sali Berisha ia ka lënë në dorë diplomacisë zgjidhjen e çështjes së vizave me Maqedoninë. Në prononcimin e tij të parë publik mbi këtë çështje, e cila është kthyer në çështje shumë të përfolur në media dhe në opinionin publik, kreu i qeverisë shqiptare është shfaqur mjaft i rezervuar në qëndrimin e tij, duke u shprehur se diplomatët e të dy vendeve po diskutojnë për të gjetur një zgjidhje. "Diplomatët e të dy palëve po e trajtojnë problemin për t'i gjetur një zgjidhje",- është shprehur kreu i qeverisë shqiptare ndërsa është pyetur nga gazetarët, gjatë një konference për shtyp dhënë në qytetin e Korçës. Në këtë mënyrë, kryeministri Sali Berisha ka preferuar të mos bëhet palë në debatin mbi regjimin e ri të vizave me Maqedoninë, duke mos dhënë asnjë detaj mbi atë çfarë po bën qeveria shqiptare, për të gjetur një zgjidhje për problemin në fjalë. Por, me një qëndrim të tillë, mjaft të rezervuar përsa i përket problemit të vizave me Maqedoninë, është mbajtur edhe Ministria e Jashtme, pasi deri tani nuk kemi ende shfaqje publike të zyrtarëve të ministrisë, ku të sqarojnë dhe informojnë mbi atë çfarë po ndodh për çështjen e vizave. Gjithsesi, çështja e vizave me Maqedoninë mbetet ende mjaft aktuale dhe e ndjeshme. Për këtë çështje pritet të ketë edhe një diskutim mes kryeministrit Berisha dhe homologut të tij maqedonas, Gruevski, gjatë vizitës së këtij të fundit që pritët të zhvillojë në Tiranë. Çështja e regjimit të vizave u kontestua fillimisht nga media e më pas nga përfaqësues të opozitës, por edhe deputetët e mazhorancës, madje në një interviste televizive është kritikuar edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo çështje mjaft delikate me shtetin fqinj, nuk ka lënë pa përfshirë as Presidentin e Republikës, i cili ndryshe nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, e ka konsideruar të nxituar vendimin e qeverisë maqedonase, pasi nga lëvizja e lirë mes qytetarëve të dy shteteve ka pasur vetëm të mira. Përsa i përket regjimit të ri të vizave, që pritet të hyjë për Shqipërinë në datën 2 Shkurt, ai është pjesë e një ligji të ri, i cili parashikon se nuk do të jepen viza më në kufi, por ato do të mund të merren vetëm në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë.
Kryeministri Sali Berisha ka preferuar të mos bëhet palë në debatin mbi regjimin e ri të vizave me Maqedoninë, duke mos dhënë asnjë detaj mbi atë çfarë po bën qeveria shqiptare, për të gjetur një zgjidhje për problemin në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›