Kur e vendos taksën, bën mirë ta mbledhësh
Debati i fundit mbi TVSH-në mbi shërbimet arsimore, shtypin dhe botimet vendëse e të importit, të lë disi të shushatur nga bollëku i ujit në debat, mbi detaje nga bollëku i ujit në të gjithë këto nisma të tilla fiskale të qeverisë, që, ndonëse mund të konsiderohen si të drejta në rangun teorik, janë tërësisht të parëndësishme në rangun praktik. Unë vetë jam i bindur se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një tatim i shkëlqyer, që duhet të vendoset mbi çdo gjë, se nuk e dëmton konsumatorin dhe as nuk e shton e as nuk e pakëson shitjen e një malli apo shërbimi. Botuesit e librave dhe pronarët e shkollave private thonë se kjo është një taksë mbi dijen dhe se vendosja e TVSH-së do të ulë kërkesën për dije. Kjo nuk është e vërtetë, për shkak se kostoja përcakton çmimin vetëm në ekonomitë komuniste. Në ekonomitë e tregut të hapur, koston e përcakton kërkesë-oferta. Pra nuk mund të akuzosh TVSH-në për shitjen e pakët të librave, sepse është njësoj si të ankohesh pse është rrugë e keqe për në Martanesh, kur nuk ke ndër mend të shkosh në Martanesh. Shtuar këtu shqetësimin konkret të pronarëve të shtypshkronjave se mungesa e TVSH-së për librat e importuara i ka vendosur në kushte të pabarabarta, sepse shtypshkronjat e huaja nuk paguajnë TVSh as për librat shkollorë që këtë vit u shtypën jashtë vendi për këtë shkak, duket se nuk ke çfarë të bësh veçse të mbështetësh si teorikisht të drejtë këtë nismë të qeverisë. Dihet se amnistitë fiskale sjellin gjithmonë deformime në treg. Në krah të kundërt, amnistitë fiskale nuk sjellin përfitim ekonomik. Shembull për këtë është subvencionimi i naftës për fermerët, një projekt që i kushton buxhetit të shtetit miliona dhe miliona euro. Nga ai projekt përfiton vetëm një pjesë e vogël e fshatit, shumica e parave vidhen dhe në fund, kostoja e korrjes së grurit në Shqipëri u ul me 15% në një kohë që gruri i importit është dy ose tre herë më i lirë sesa kostoja e grurit të prodhuar në vend. Thjeshtë nuk është zgjidhje. Për këtë arsye, tendenca e përgjithshme botërore kërkon që këto lloj politikash të mos zbatohen. Por, gjithmonë ka një “por”! Një taksë është e drejtë për sa kohë rëndon në mënyrë të barabartë mbi qytetarët e një vendi. Shqiptarëve që kanë dërguar fëmijët e vet në shkolla private, po u bëhet një padrejtësi. Padrejtësia është që këto shqiptarë, (dhe tani janë bërë shumë) i paguajnë tatimet për shërbimin e arsimit publik, por nuk e përfitojnë atë shërbim sepse kanë zgjedhur arsimin privat. Në kuadrin e së drejtës, qeveria para se të vendosë TVSH mbi pagesat që kjo kategori e shqiptarëve kryen për arsim privat, duhet t’i kthejë tatimet që kanë paguar për arsimin publik që nuk po e përfitojnë. Përndryshe kjo do të jetë një kategori qytetarësh që taksohet dy herë. Në botën perëndimore kjo gjë njihet. Shumë vende përdorin një formulë të thjeshtë. Kostoja e arsimit publik pjesëtohet me numrin e përgjithshëm të nxënësve, (klientë ose përfitues). Shifra që del, duhet t’i ofrohet si kompensim atyre që nuk e përfitojnë arsimin publik. Kjo është një kërkesë e drejtë që duhet të bëjnë pronarët e shkollave private, dhe është më e leverdishme sesa kundërshtimi thjeshtë për show opozitarizmi i TVSH-së.
Përpos aspektit teorik e drejtë apo e padrejtë, ka edhe një aspekt tjetër; e mundur apo e pamundur. A e di Ministria e Financës se sa është tregu i librit jashtë shtëpive të mëdha botuese? Libra që shtypen dhe shiten nga individë që nuk janë të regjistruar fare në Tatime? Si do ta bëjë të mbledhë taksa nga këto individë?
Përsa i përket shtypit periodik të huaj dhe atij joperiodik, mund të themi se qeveria nuk ia ka haberin se çfarë ndodh në realitet. Konkretisht, unë personalisht kam blerë një abonim vjetor përmes dyqanit në internet të “Financial Times”. Abonimi më jep mundësi ta lexoj këtë gazetë në internet, ndërkohë që kopja fizike më vjen përmes shërbimit postar. Si do ta mbledhë qeveria TVSH-në në këtë rast? Po kur unë blej libra në amazon.com, apo dhjetëra dhe qindra vajza e gra shqiptare blejnë veshje të Victoria’s Secret?
Para disa ditësh m’u kujtua një debat i tillë fiskal i tetë apo dhjetë muajve më parë. Qeveria deklaroi se do të taksonte celularët e importuar dhe se do të detyronte kompanitë celulare të mos i ofronin shërbim qytetarëve që kishin një aparat të tillë të paregjistruar në doganë. Në atë kohë u duk si një kataklizmë. Por sot shihet se qe thjeshtë një debat i kotë, jashtë realitetit, për një ligj që është praktikisht i pazbatueshëm e që nuk i sjell shtetit asnjë lek tatim më shumë. Konkretisht qeveria nuk i ka të ardhurat doganore shtesë që shpresonte të realizonte me atë ligj. Në një vend ky hyjnë 300 mijë emigrantë në vit dhe secili prej tyre sjell një celular apo një makinë me vete, këto debate janë thjeshtë për të çuar kohën dëm. Kjo është qeveri e zhurmës. Tregu i librit, i shtypit të huaj etj, janë qindarka. Këto ditë po diskutohet se shqiptarëve do të fillojë t’u mbahet 9% taksë mbi shitblerjet e pronave të paluajtshme, sa herë që këto prona shiten e blihen. Është një taksë e padrejtë, e cila do të ngurtësojë tregun e shitblerjeve të pronave, duke krijuar gjithnjë e më shumë qiramarrës e gjithnjë e më pak pronarë shtëpish. Qeveria e ka vendosur këtë taksë ndërkohë që vijon të amnistojë nga TVSH-ja kompanitë e ndërtimit. Thjesht, është një qeveri e kapur. Çdo ditë dëgjojmë lajme mbi të ashtuquajturat “reforma fiskale”, të cilat i detyrojnë shqiptarët të paguajnë shërbime bankare pa pasur të drejtë të zgjedhin. Një qeveri e kapur nga bankat, nga ndërtimi, nga kompanitë e transportit ajror etj., është thjeshtë një qeveri e keqe.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, sot në mëngjes m’u desh të dal me vrap nga shtëpia sepse më njoftuan se policia e rendit po vendoste gjoba për parkimet në trotuar, në kundërshtim me një urdhër të mëhershëm të Policisë Rrugore që i toleronte parkime të tilla. Policët nuk guxuan t’i vinin gjobë një makine luksoze “Audi” të parkuar pak më tutje, sepse makina të tilla i kanë njerëz të fuqishëm. Kjo është fytyra e shtetit tonë të taksave. Ky është edhe moduli bazë i reformave fiskale të propozuara gjatë dy viteve të fundit. E han ai që del përpara, ai i pambrojturi.