Letër mikut tim Siljanoski...
I dashur Blago! E mora ftesën për të marrë pjesë në promovimin e librit tuaj më të ri për Voskopojën. Por nuk e di se a do të kem mundësi që të vij, pasi siç e ke marrë vesh edhe nga mediat, duan të na ndajnë përsëri si dikur; duan të vendosin sërish postblloqe, viza dhe tarifa, për të na penguar e për të mos shkuar më tek njëri-tjetri. Ruaj të freskët takimin e parë me ju në Ohër, më 14 shkurt 1990. Unë isha gazetar, ju atëherë ishit Kryetar i Bashkisë së Ohrit. Kam ende në vesh fjalët tuaja, megjithëse kanë kaluar plot 18 vjet: “…Ka ardhur koha që të shkojmë tek njëri-tjetri pa vizë, siç shkon fqinji tek fqinji...”. Për atë kohë, në të dyja vendet tona funksiononin ende sistemet totalitare dhe kjo dukej si ëndërr. Por pas vitit ‘92 kufijtë u hapën. Banorët e zonës kalonin pa viza, me një pasaportë kufitare. Në një takim miqësor gjatë një promovimi libri në Pogradec, më thatë: “Bardhyl, e shikon që më doli fjala? Po shkojmë e vijmë tek njëri-tjetri pa viza dhe pa asnjë pengesë…”.
Prej atëherë, shumë maqedonë vijnë lirisht në plazhet e Shqipërisë dhe shumë shqiptarë shkojnë të skijojnë në Mavrovën e njohur të Maqedonisë. Po kaq zhvillim kanë marrë edhe marrëdhëniet tregtare, aktivitetet kulturore, ato sportive etj. Gjithçka i dedikohet liberalizimit të lëvizjes.
Kurse tani, z.Siljanoski, nuk e di unë nëse ju duhet të shkoni në Ambasadën tonë në Shkup për të marrë vizë, por unë do të duhet të shkoj patjetër në Tiranë tek Bllagorodna Mingova - Krepijeva për të marrë një vizë për të ardhur në Maqedoni, edhe pse jam gazetar. Tashmë do të ndodhë që edhe ata shqiptarë që kanë për arsye të ndryshme viza “Shengen” në pasaportat e tyre, megjithëse mund të udhëtojnë në gjithë Europën, për Maqedoninë do u duhet një vizë tjetër. E kjo shoqërohet, madje, me procedura aq të gjata e dokumente aq të shumta.
Dhe kjo ndodh, miku im Siljaneski, kur ne prisnim që të hapeshin kufijtë jo vetëm mes nesh, por edhe me Europën, që aq shumë e dëshirojmë ne ballkanasit. I kemi ende të freskëta takimet e këtyre tre viteve të fundit të Presidentëve shqiptarë e maqedonë, sipas rastit, në vilën e Titos në Ohër apo në atë të Enverit në Pogradec. Puthen, përqafohen, hanë, shtrëngojnë duart e para gazetarëve kanë thënë: “Kufijtë midis nesh shumë shpejt do të fshihen”. Por…! Me këtë vendim, i dashur Blago, do na mungojnë edhe mbrëmjet buzë liqenit në Ohër dhe në Pogradec e as do mundemi të festojmë së bashku “Shën Naumin” apo Festën e Liqenit në Ohër, Pogradec dhe Strugë. Ne, i dashur Blago, jemi larg vetëm 30 minuta me makinë. “Sa një nishan dyfeku”, siç thotë populli. Por kjo distancë tashmë ngjan shumë e gjatë dhe e pafund.
I dashur mik, Maqedonia, në radhë të parë do t’i bëjë dëm vetes së saj. Shqipëria, megjithëse e varfër, harxhon miliona euro në vit për turizëm në Maqedoni. Do të na mungojë Ohri i bukur, lagjet historike të Shkupit apo Mavrova e skive dhe kodra e Diellit, por do të zgjedhim Turqinë apo Malin e Zi, për pushime në verë dhe Brezovicën e Kosovës, për në dimër.
Ndaj, miku im, nuk e kam më aq të lehtë të marr pjesë në promovimin e librit tuaj, megjithëse jemi kaq afër. Ndjej barriera. E nëse nuk vij unë, e-maili im urues do t’ju vijë patjetër. Besoj, këtë politika nuk do mundet të na i ndalojë.
*Blago Siljanoski është shkrimtar maqedonas, ish-kryetar i Bashkisë së Ohrit dhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë