Elbasan, Rama: Humbja e komunave për shkak të problemeve me bazën
ELBASAN- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur gjatë dje në Elbasan për të zhvilluar një analizë të thellë të zgjedhjeve lokale në këtë qark. Edhe pse fitorja e PS-së në Bashkinë e Elbasanit ishte e dukshme, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka kërkuar që të nxirren përgjegjësitë për shkaqet që çuan PS-në në humbjen e disa bashkive dhe komunave bastion të saj në Elbasan. Edhe pse një takim me dyer të mbyllura, burime brenda saj deklaruan dje për gazetën “Mapo” se një nga shkaqet e humbjes ka qenë mosfunksionimi dhe moskoordinimi i bashkëveprimit të punës nga struktura të PS-së në bazë, sidomos bashkëpunimi mes deputetëve dhe kryetarëve të PS-së në bashki e komuna. Rama ka sjellë dy shembuj tipikë në këtë drejtim, Peqinin dhe Gramshin. Sipas tij, në Gramsh gjithçka funksionoi mirë, ndërsa në Peqin ekzistojnë mosmarrëveshje të cilat kanë çuar në humbjen e thellë. Edhe në rastin e Cërrikut, Prrenjasit e mjaft komunave të tjera, u evidentua se shkak i humbjes kanë qenë të njëjtët faktorë si dhe përzgjedhja e kandidatëve. Ndërkohë Bashkia Elbasan dhe rasti Qazim Sejdini janë konsideruar si modeli ku PS-ja duhet të mbështetet. Në këto kushte, Rama u ka kërkuar strukturave që të bashkëpunojnë pasi sfidë mbeten zgjedhjet e ardhshme, por pa specifikuar nëse bëhet fjalë për zgjedhjet e 2013-ës apo më afër. Duke u ndalur pikërisht në betejat e ardhshme që presin këtë forcë politike, Rama ka theksuar se PS-ja duhet të kthejë lavdinë e dikurshme në Elbasan e t’i japë fund barazisë së përfaqësimit me deputetë në Kuvend nga ky qark. Në këtë takim, kryetari i opozitës nuk ka komentuar debatin për Tiranën dhe për pasojë as edhe ndonjë vendim politik që do të ndërmerret në të ardhmen për këtë çështje. Edhe pse në mbledhjen e asamblesë socialiste, opozita ia la në dorë edhe bazës për të diskutuar mbi hapat që do të ndërmerren në të ardhmen, Rama ashtu si në Fier edhe në Elbasan, nuk ka bërë asnjë koment apo pyetje për çështjen sa më sipër. Takimi i djeshëm do të pasohet nga takime të tjera në nivele të ndryshme të bazës socialiste në qarkun e Elbasanit. Në takimin me këshilltarët dhe kryetarët e njësive vendore fituese nga kjo forcë politike në Elbasan, morën pjesë edhe kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, koordinatorja dhe deputetja e qarkut, Valentina Leskaj, deputetë të PS-së si dhe kryetari i bashkisë Qazim Sejdini.
F.S