Berisha për BBC-në: ”Nuk kisha dijeni për Gërdecin”
Kryeministri Sali Berisha ka qenë i ftuar ditën e djeshme në emisionin “Hard talk” në Televizionin prestigjioz britanik, BBC, ku ka folur mbi realitetin politik shqiptar mbas marrjes së ftesës për të hyrë në NATO si dhe për problemet kryesore politike në Shqipëri. Gjatë intervistës me gazetaren britanike, Sara Montegnean, kryeministri Berisha u shpreh se ai nuk kishte pasur dijeni mbi atë që po ndodhte në fshatin Gërdec, ku ndodhi tragjedia, vetëm pak kilometra larg Tiranës. “Aty ndodhi një shpërthim i tmerrshëm. Por dua të qartësoj se ajo nuk ishte një bazë ushtarake, por një pikë demontimi e municioneve nga një kompani private”, - tha Berisha. Kryeministri u pyet gjerësisht nga gazetarja britanike në lidhje me këtë tragjedi, për përgjegjësitë si dhe pse ishte vendosur kjo fabrikë në këtë pikë të banuar. “Sigurisht që ishte një gabim i madh”, - pranoi Berisha. Njëkohësisht kryeministri foli edhe për korrupsion në Shqipëri. “Korrupsioni ishte shndërruar në sistem në Shqipëri. Ajo që qeveria ime bëri është se së pari nxorëm qeverinë jashtë konfliktit të interesit. Askush në administratën shtetërore nuk ka konflikt interesash, në një kohë kur në qeverinë e mëparshme ministrat kishin monopolet e tyre. Ka korrupsion, por lufta kundër tij është shumë e suksesshme. Janë më tepër se 50 zyrtarë të niveleve të larta të arrestuar dhe të dënuar për korrupsion”, - tha ai. Në këtë intervistë Berisha u pyet në lidhje edhe me marrjen e ftesës për në NATO. “Mendoj se kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë për shumë arsye. Së pari, pas shumë shekujsh kombi im rikthehet në familjen së cilës i përket. Së dyti, NATO ka provuar se është mburoja e sigurisë në hapësirën e saj. Anëtarësimi në NATO do të thotë të kesh strehën më të mirë për lirinë. Imagjinoni një komb si Shqipëria, me të cilën për shekuj historia u soll si njerkë”, - tha kryeministri Berisha.
11 Prill 2008