E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosi i “Anglo-Adriatikas” me helikopter privat dhe me firma “fantazmë”

Deklan Ganley, profili i njeriut që luajti në bursë pasuritë e shqiptarëve. Si i përdori letrat me vlerë për të ngritur perandorinë e tij

Habjon Hasani

I paraqitur nga mediat ndërkombëtare si një nga biznesmenët më të suksesshëm të Europës në fushën e telekomunikacioneve, Deklan Ganley është shpallur edhe si fitues i disa çmimeve që u jepen personaliteteve të fushës së biznesit botëror. Kontrollon me helikopterin e tij, që e parkon pas kështjellës që ka blerë së fundi në Galway, Irlandë, ndërsa bën edhe inspektimin e të gjitha bizneseve të tij nëpër shtete të ndryshme të Europës. Pasioni i tij janë edhe makinat e markës “Mercedes Benz” e s’ka si të jetë ndryshe kur rezulton se Ganley ka 12 makina të tilla, që të gjitha prodhim special i porositur. Sakaq duket se Ganley ka në pronësi edhe një numër shumë të madh firmash, të cilat ndonëse deklarohen me fitime shumëmiliardëshe në faqet zyrtare, po zyrtarisht nuk specifikojnë fushën e tyre të veprimit. Kjo është aq e vërtetë, sa përveç prezantimit zyrtar të “Ganley Group”, firmat e tjera, si “Rivada”, “Broadnet” apo “Telecom Bulgaria”, të cilat janë në pronësi të Ganley-t, nuk japin asnjë të dhënë më shumë sesa një numër telefoni dhe një numër faksi. Megjithatë, këto firma pretendojnë fitime bilionash në këto vite. Duket se fati i ka buzëqeshur Ganley-t në fillim të viteve ‘90 në Rusi, nga ku më pas arriti të merrte tendera në ushtrinë amerikane apo të investonte në vendet e treta, si në rastin e Shqipërisë dhe “Anglo-Adriatikës”. Biznesmen modern dhe i fuqishëm që në moshë të re, u fut në Rusinë e shkatërruar nga socializmi dhe doli prej andej me fitime kolosale, që maten deri në 100 milionë dollarë. Në mes të vitit 1995 ai futet për herë të parë në Shqipëri, ku ftohet nga presidenti Berisha në një takim forumi që ky i fundit pati në Londër muaj më parë.
Mungesa
Megjithëse është shkruar shumë në mediat ndërkombëtare për pasurinë dhe kompaninë e Ganley-t, prej disa vitesh zyrtarisht “Ganley Grouop” nuk flet më për “Anglo-Adriatikën. Sakaq, kjo firmë vazhdon ende të jetë e regjistruar në Gjykatën e Tiranës. Nga ana tjetër, ligji përcakton që çregjistrimi duhet të bëhet vetëm nga personat që e kanë regjistruar atë. Në këto kushte, kompania vazhdon prej vitesh që të jetë në Shqipëri, por jo fizikisht. Duke kërkuar në internet Ganley Group, vazhdon aktivitetin e vet në Galway në Irlandë dhe vazhdon të ketë degë në shumë vende të Europës. Kompania rreshton një sërë aktivitetesh në të gjithë botën, si transporti, telekomunikacioni dhe ndërmarrjet e import-eksportit. Në lajmet e asaj kohe reputacioni i Declan Ganley-t, drejtuesit të “Ganley Group”, ishte mjaft i madh. Në arkivën e mediave të atëhershme mund të gjesh edhe takime në nivel ministrash që kryente Ganley me shtetin shqiptar. Një nga objektivat e kompanisë ishte edhe ndërmjetësimi i kompanive të tjera të huaja për investime në Shqipëri. Kështu, në fillim të shtatorit 1999, kompania synoi të merrte pjesë në privatizimin e “Albanian Mobile Telecommunication” (AMC), nëpërmjet disa kompanive amerikane. Kompania në atë kohë ishte 100% me aksione shtetërore. “Ganley Group” është themeluar në 1990-n nga Declan Ganley dhe në atë kohë është fokusuar në tregjet e Europës Juglindore, tregje të cilat sapo kishin dalë nga centralizimi. Një treg kryesor, ku kompania kishte aktivitet, ishte edhe Rusia. Një fakt i çuditshëm është se aktiviteti i kompanisë, i pasqyruar në faqen zyrtare të saj, nëpërmjet njoftimeve për shtyp, vazhdon të listojë njoftime të vitit 2000 dhe asnjë të tillë pas këtij viti. Afati i skadimit të bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë është shtyrë deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Implikimi
Në shtator të vitit 2007, në një gjyq të zhvilluar në Irlandë, duket se kanë dalë dhe “të palarat” mes bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe krerëve të kompanisë “Anglo-Adriatika”. Gjyqi i zhvilluar disa muaj më parë ka nxjerrë në pah një linjë bashkëpunimi mes qeverisë “Meksi” dhe kreut të “Ganley Group”, Declan Ganley, ndërsa ky i fundit kishte hyrë si ndërmjetës për të paguar disa deputetë irlandezë që të ndihmonin qeverinë shqiptare për të shmangur rënien e skemave piramidale. Nga raportimet e mediave irlandeze zbulohet se vetë Deklan Ganley ka deklaruar para gjykatësve se ai ka sjellë në Shqipëri deputetin Liam Laulor, ndërsa ky i fundit është paguar asokohe rreth 340 mijë dollarë nga qeveria shqiptare. Por interesimi i gjykatësve të kësaj çështjeje ka qenë lidhur me një tjetër deputet irlandez të quajtur Frank Dunlop, i cili mendohej se kishte favorizuar një kompani irlandeze në këmbim të ndihmës dhe asistencës që do t’i ofrohej qeverisë shqiptare. Megjithatë, ndërsa kreu i Anglo-Adriatikas ka pranuar implikimin e deputetit Liam Laulor, ka bërë të paditurin lidhur me implikimin e deputetit tjetër, i cili mendohet se ka favorizuar duke rritur aksionet e kompanisë “VAT” si pasojë e paktit me qeverinë shqiptare. Gjyqi i zhvilluar në shtator të vitit 2007 në Irlandë duket se përforcon idenë se qeveritarë të kohës në pragtrazirat e vitit 1997 kanë favorizuar në mënyrë të kundërligjshme krerët e kompanisë “Anglo-Adriatika”, ndërsa vetë kjo kompani ka deklaruar si pronë të sajën 45 mijë aksionet e shqiptarëve të mbledhura në letër me vlerë, të cilat arrinin asokohe vlerën e 120 milionë dollarëve.

Aktiviteti i “Ganley Group” pas vitit 1997

- Viti 1998, “Anglo-Adriatika” bën përçapjet e para për të hapur dhe iniciuar Bursën Shqiptare, duke sponsorizuar një takim shumëpalësh rajonal në Strugë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të qeverive shqiptare dhe maqedonase. Po në këtë vit Don de Marino (drejtori Ekzekutiv i Fondit) është organizatori VIP i "Konferencës së Privatizimeve Strategjike në Shqipëri", e organizuar në Pallatin e Kongreseve dhe me pjesëmarrjen e gjerë të Biznesit të Huaj dhe qeverisë shqiptare.

- Në 1998-n, shoqëria kanadeze "Grand Portage Resources", me ndërmjetësimin e Fondit Anglo Adriatik, ka marrë ekskluzivitetin e bashkëshfrytëzimit të pellgut të Delvinës, sipas marrëveshjes me Albpetrolin, duke zotëruar 9 puse gazi natyral.

- Bëhen përpjekje maksimale për marrjen me koncesion të Azotikut të Fierit.

- Kërkesa të shumta të Anglo-Adriatikës për Aktivizim të Letrave me Vlerë në privatizimet masive dhe ato strategjike, bazuar në ligjin e privatizimeve të miratuar nga Parlamenti Shqiptar në vitin 1998 dhe Aktivizim dhe binjakëzimin e Bursës Shqiptare me Bursat Perëndimore (sipas projektit të Anglo-Adriatikës).

- Më 1999-n Declan Ganley solli në Tiranë një grup investitorësh të fuqishëm të korporatës "Hyatt Hotels", ku iu premtua leja nga qeveria shqiptare, që të ndërtonin 2 hotele luksoze gjigante në zonën e Llogorasë dhe Borshit.

- Po në vitin 1999, “Anglo-Adriatika” sjell në Tiranë Telekomin Amerikan "Milicom", për të marrë pjesë në tenderin e organizuar për shitjen e AMC-së, si për të tërhequr pjesën e mbetur të aksioneve, që ligji i Privatizimit Strategjik e lejon ta zotërojë tek AMC dhe që sot e kësaj dite, kjo pjesë e AMC-së (15%) si rregull duhet të jetë akoma e paprivatizuar.

Kompania, drejtuesit nuk mbajtën asnjë përgjegjësi

Dega e Fondit Anglo-Adriatika për Shqipërinë, e cila kishte zyrën e saj kryesore në katin e dytë të hotel “Rogner”, u ngrit në vitin 1994 dhe funksiononte me një administratë të plotë. Në krye të Fondit ishte Pirro Kushi, paga e të cilit vërtitej në mbi 5 mijë dollarë në muaj. “Anglo-Adriatika” u zgjerua duke hapur degët në disa sportele të ish-Bankës së Kursimeve, numri i të cilave arrinte në 14 të tilla. Nëpunësit e bankës paguheshin gjithashtu edhe nga Fondi për procesin e mbledhjes së bonove të privatizimit. Nga viti 1995-1997, “Anglo-Adriatika” mblodhi mbi 2 miliardë lekë, ndërkohë që gjatë trazirave të ’97-s, kur u vodhën bankat, u grabitën gjithashtu edhe paratë e kreditorëve të “Anglo-Adriatikas”. Krerët e Fondit vazhduan punën normalisht pas trazirave, deri në prill të vitit 2000, kur u volën edhe mbi 8 miliardë lekë të tjera. Ndërkohë, pas mbylljes së Fondit, asnjë sqarim apo deklaratë publike nuk është bërë nga drejtori i Fondit në Shqipëri, Pirro Kushi, i cili për katër vite rresht menaxhoi këtë skemë, nga ku mendohet se doli tepër i pasur. Zyra e tij në hotel “Rogner”, e cila nga viti ’94-’99 mblodhi, përmes degëve që u hapën, afro 120 milionë dollarë nga kreditorët e “Anglo-Adriatikas”, u mbyll pa dhënë as më të voglin sqarim për ta.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›