Ndokaj: ”Kuvendi të pyetet për misionet ushtarake në botë”
Deputeti demokristian, Jak Ndokaj, ka ngritur një shqetësim gjatë seancës së djeshme plenare. Mbasi vlerësoi ftesën për të hyrë në NATO për Shqipërinë, Ndokaj u shpreh se deputetët janë informuar për dërgim trupash ushtarake shqiptare në disa vende të ndryshme të botës. Ne lidhje me këtë, Ndokaj kërkoi përgjegjshmëri si dhe zbatimin e ligjeve duke u shprehur se vetëm Parlamenti mund të miratojë dërgimin e trupave paqeruajtës në vende të ndryshme të botës. “Kemi dëgjuar për dërgim trupash në Liban dhe më vonë në Çad, siç kemi dëgjuar për misione humanitare në disa vende të tjera të Afrikës apo të Lindjes së Mesme. Shqetësimi im ka të bëjë me faktin se sipas Kushtetutës së Shqipërisë, parlamenti dhe vetëm parlamenti mund të marrë një vendim legjitim për dërgim të misioneve të tjera ushtarake shqiptare në botë. Parlamenti është pyetur për Bosnjën, për Irakun dhe për Afganistanin dhe ka votuar. Por ne nuk jemi pyetur për asnjë nga misionet e tjera që përmendeshin ose që vazhdojnë të përmenden në deklaratat e disa politikanëve. Këto qëndrime, pavarësisht nga interesi politik dhe diplomatik, nuk tregojnë seriozitet dhe realisht, nuk mund të përfaqësojnë vendimmarrjen kushtetuese të shtetit shqiptar”, - tha Ndokaj.
11 Prill 2008