E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, ndryshon mënyra e verifikimit, së shpejti edhe tarifat e reja

Kuvendi miraton procedurat e reja në ligjin e legalizimeve. Procesi do të kryhet vetëm nga ALUIZNI. Përshpejtohen procedurat

Erald Kapri

Kuvendi miratoi ditën e djeshme ndryshimet në ligjin e legalizimeve për ndërtimet informale. Ligji i ri i ka rritur kompetencat Agjencisë së Legalizimeve për të përshpejtuar dhënien e legalizimit si dhe kalimin sa më të shpejtë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për t’u hipotekuar përfundimisht. Sipas qeverisë, këto ndryshime kanë si synim përshpejtimin e këtij procesi. Fillimisht në legalizimin e ndërtimeve informale, hipotekimin e tyre, urbanizimin si dhe kompensimin e çdo ish-pronari që është ndërtuar në truallin e tij në mënyrë të paligjshme. Me ndryshimet e miratuara ditën e djeshme janë rritur ndjeshëm kompetencat e ALUIZI-t, i cili do të zbatojë të gjithë procesin. Qytetarët duhet të ndjekin udhëzimet dhe çdo veprim do të bëhet me formular, pa u kontaktuar me zyrtarët. Miratimi në KRRTRSH i zonave informale u ka hapur rrugën verifikimeve dhe më pas direkt do të kalohet në pagesën e lejes së legalizimit që nga trualli sipas tabelave dhe taksën e infrastrukturës.
Ndryshimi
Mbas vetëdeklarimit të ndërtimit informal, dokumentacioni do të verifikohet nga ALUIZNI dhe ekspertët e tij do të dalin në terren për evidentimin e ndërtimeve pa leje për të parë nëse ka përputhje me vetëdeklarimin dhe fotografimin ajror, sipas ndarjes kadastrale. Ndërtimet informale që do të legalizohen sipas ligjit do të kenë një dokumentacion të plotësuar nga ALUIZNI, i cili do të japë edhe lejen e legalizimit. Përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI, në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme, në pronësi të të tretëve dhe i dërgon Këshillit të Ministrave listën me të dhënat për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese. Pas plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit.
Legalizimi
Agjencia e Legalizimit, mbas plotësimit dhe verifikimit të plotë të vetëdeklarimit pajis me lejen e legalizimit personin që ka bërë ndërtimin. I njëjti rregull zbatohet edhe për objektet me leje, me shtesa informale në ndërtim, ku leja e legalizimit është e barasvlershme me lejen e shfrytëzimit, të përcaktuar sipas ligjit. Kriteret dhe procedurat e legalizimit të ndërtimeve informale për objektet me leje, por që kanë shtesa informale në ndërtim, do të përcaktohen disa muaj më vonë nga qeveria, ku do të paraqitet i plotë i gjithë formulari. Njëkohësisht edhe formulari i legalizimit që do të paraqitet do të miratohet pak më vonë nga Këshilli i Ministrave.
Regjistrimi
Menjëherë mbas verifikimit të ndërtimit pa leje, ALUIZNI, mbasi jep lejen e legalizimit, e dërgon atë te ZRPP-ja, e cila do të japë edhe letrën e hipotekimit nga ku finalisht mund të quhesh pronar i ligjshëm i ndërtimit. Leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik dhe kartela e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar, paraqitet nga ALUIZNI në ZRPP. Regjistrimi fillestar i objektit në regjistrat e pasurive të paluajtshme do të bëhet sipas ligjit të ndryshuar, që do të thotë se ndërtimi do të hipotekohet menjëherë. Ligji parashikon se urbanizimi i zonave informale, por të legalizuara, do të kryhet në bazë të studimeve urbanistike, në përfundim të procesit të legalizimit. Hartimi i studimeve urbanistike realizohet ose porositet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Në çdo rast, studimet urbanistike duhet të respektojnë planet e miratuara nga KRRT-ja e bashkisë ose komunës, të hapësirave dhe shesheve publike, për investime në rrugë, infrastrukturë dhe objekte social-kulturore. KRRT-ja e këshillit të qarkut miraton studimin urbanistik për bllok-banimet me ndërtime të legalizuara për qarkun respektiv. Bashkia ose komuna vepron për të gjitha territoret brenda vijave të verdha.

Procedura e lejes së legalizimit

1-Kryerja e vetëdeklarimit
2-ALUIZNI përpunon të dhënat
3-ALUIZNI kryen verifikimin në terren
4-Kush nuk plotëson kriteret lajmërohet nga ALUIZNI
5-Kush ka ndërtuar në truallin e një të treti, mbas legalizimit dhe pagimit të tarifave, qeveria kompenson ish-pronarin brenda 6 muajsh
6- ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit
7-Mbas marrjes se legalizimit, objekti hipotekohet
8-Mbas hipotekimit objekti bëhet pjesë e planin urbanistik

Pezullim i mundshëm

Në rastet kur, si pasojë e shqyrtimit të një mosmarrëveshjeje në gjykim ndërmjet subjektit dhe pronarit të truallit privat ose kufitar, gjykata ka vendosur masë sigurimi, procedurat për legalizimin e shtesës së objektit pezullohen dhe rifillojnë sipas këtij ligji, kur masa e sigurimit humb fuqinë e saj, me kusht që shtesa pa leje të jetë vetëdeklaruar brenda afatit të përcaktuar në ligj.

Si do të veprohet me ndërtimet informale në bregdet

Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi ka përcaktuar se për ndërtimet pa leje në bregdet do të merret një vendim mbas vendosjes të vijës kufizuese të këtyre zonave dhe tre muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërtimet informale në zonën e bregdetit do të trajtohen ndryshe nga ndërtimet e tjera. Qeveria ka përcaktuar se brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi të këtyre ndryshimeve do të nxjerrë akte nënligjore që do të përcaktojnë edhe fatin e këtyre ndërtimeve. Aktualisht ligji i ka përjashtuar këto ndërtime nga faza e vetëdeklarimit, kështu që ato nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë lejen e legalizimit. Aktet nënligjore që pritet të miratojë qeveria më vonë për këtë kategori ndërtimesh do të vendosë edhe kriteret bazë për njohjen e tyre. Sipas parashikimeve paraprake mendohet se kriteret do të zbatohet sipas llojit të ndërtimeve. Me miratimin e planeve urbanistike do të vendoset se si do të trajtohen edhe kriteret për njohjen e këtyre ndërtimeve.

Kërkesat për kompensim prone deri në fund të vitit

Parlamenti, mbas një kohe të gjatë, ka miratuar amendamentet ligjore të republikanit Arian Madhi. Kështu është miratuar shtyrja e afatit për dorëzimin e dokumentacionit në Agjencinë e Pronave për të kërkuar kompensim. Afati përfundimtar do të jetë fundi i vitit 2008. Mbas kësaj date asnjë subjekt nuk do të ketë të drejtë të kërkojë që t’i kompensohet prona. Njëkohësisht është miratuar edhe shfuqizimi i Ligjit 7501 për tokën. Tashmë asnjë komision vendor nuk do të ndajë më tokë sipas këtij ligji. Këto ligje disa herë janë shtyrë në seancën e Kuvendit dhe kjo ka pasur si shkak mungesën e kuorumit dhe ndonjëherë e vetë iniciatorit, kryetarit të Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi. Mirëpo shtyrja e projektit duket se është përkrahur nga të dyja partitë e mëdha politike, PD-PS, të cilat kanë rënë dakord për shtyrjen e saj te seanca pasardhëse. I diskutuar që në fillim, miratimi i propozimit të Madhit është shtyrë deri në pritje të nismave të reja qeveritare për çështjen e pronave. Konkretisht, në punimet parlamentare kanë hyrë për diskutim dy prej tyre, një për titujt e pronësisë dhe disa ndryshime në Ligjin “Për kalimin pa shpërblim të tokës bujqësore”. Pritet që diskutimi i këtyre dy projekteve t’u japë fund debateve dhe abuzimeve mbi tokën e shpërndarë me Ligjin 7501, duke zgjidhur njëkohësisht shqetësimin e ngritur prej republikanit Madhi, me nismën e tij konkrete. Gjithsesi, gjatë këtyre muajve duket se do të përshpejtohet dhe procedura e kalimit në pronësi të tokave që janë dhënë në përdorim sipas ligjeve të dala pas vitit 1993. Një hap i tillë do të cilësojë të panevojshëm miratimin e një pjese të nismës së republikanëve. Nga ana tjetër, rikthimi për diskutim i propozimeve të PR-së sjell dhe zvarritjen e mëtejshme të procesit të hapjes së një dosjeje të re me qëllim njohjen dhe kompensimin e pronës. Ky proces është bllokuar që prej tetorit të vitit të shkuar. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve do të hapet edhe procesi i dorëzimit të dokumentacionit ligjor për të kërkuar kthimin ose kompensimin e pronës.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›