Berisha përcillet nga Nano në Vjenë. Topi anulon Pononinë
Problemet me trafikun ajror të cilat kanë përshirë gadishullin e Ballkanit kanë sjellë probleme në axhendat e drejtuesve më të lartë të vendit. Si pasojë e bllokimit të fluturimeve, Presidenti Bamir Topi lajmëroi paraditen e djeshme edhe anulimin e vizitës së tij drejt Krakovit të Polonisë, ku sot do të mbahet edhe funerali mortor i Presidentit polak, Leh Kazinski. Por ka qenë edhe Kryeministri Berisha, i cili ditën e djeshme është bllokuar në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, pa mundur të niset prej aty drejt Tiranës, siç e kishte parashikuar. Kreu i qeverisë ka arritur të niset prej Vjenës vetëm në orët e vona të ditës së djeshme, për të qenë në Tiranë paraditen e sotme. E gjithë situata nisi dy ditë më parë me vonesën e Kryeministrit Berisha në rrugën e tij të kthimit drejt Shqipërisë pas një vizite dyditore në Bruksel. Retë e krijuara nga shpërthimi i vullkanit në jug të Islandës, e bënë të pamundur që Kryeministri të ndiqte itinerarin e tij normal të udhëtimit. Kështu, Berisha i shoqëruar nga stafi i tij i ngushtë preferuan të mos humbin kohë dhe të nisin udhëtimin me makinë nga Brukseli në Vjenë, vend ku do të bënin edhe transitin për në Tiranë. Por pamundësia e udhëtimit edhe nga kryeqyteti i Austrisë, drejt Tiranës bën që kreu i qeverisë ta kalojë ditën e shtunë në Vjenë, për të pritur një moment të dytë për nisjen drejt Shqipërisë. Kreu i qeverisë është nisur në Bruksel pesë ditë më parë, ku ka dorëzuar zyrtarisht edhe pyetësorin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Në ditën e parë të vizitës së tij, Berisha ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me komisionerin europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Stefan Fyle, me të cilin ka mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp. Në ditën e dytë të vizitës, kreu i qeverisë ka zhvilluar takime të shumta me krerët më të lartë të Bashkimit Europian. Kështu, Berisha ka zhvilluar takime me Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, Presidentin e Komisionit Europian, Manuel Barroso, dhe Presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek. Gjatë kësaj vizite, kreu i qeverisë mori premtimin se Komisioni Europian dhe institucionet e tjera europiane do të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit dhe në arritjen e liberalizimit të vizave brenda këtij viti për qytetarët shqiptarë. Në vizitën dyditore në Bruksel, Kryeministri ka zhvilluar edhe takime të tjera jozyrtare, siç ishte takimi me arkitektet e projektit belg për qendrën e Tiranës. Por kaosi i trafikut ajror për shkak të reve të hirit vullkanik i prodhuar nga shpërthimi i vullkanit në jug të Islandës, i cili ka përfshirë gati gjysmën e Europës, ka prekur vijimësinë normale të axhendës së Kryeministrit të vendit.
#