E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, goditet linja e marijuanës pwr Selanik

Droga kishte për destinacion Greqinë. Mendohet se vinte nga Jugu i vendit, por kishte kaluar nga Elbasani

Kapet dhe sekuestrohet në kufi me Greqinë 160 kilogramë marijuanë. Droga që vinte nga Elbasani kishte për destinacion shtetin fqinj, ndërkohë që policia kufitare ka mundur të prangosë dy transportuesit. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se operacioni i koduar “Palma” ka vënë në pranga dy persona për trafikim të lëndëve narkotike. Ka qenë ora 06:00 e ditës së shtunë kur nga ana e strukturave të antidrogës dhe policisë së Korçës janë kapur në kushtet e flagrancës dy shtetas, të cilët udhëtonin me një furgon, brenda të cilit kishin vënë ngarkesën e lëndës narkotike që vinte nga qyteti i Elbasanit. Të njëjtat burime saktësojnë se të ndaluarit janë: Arif Saliu, 38 vjeç nga Pajova e Peqinit dhe Blerim Sina, 35 vjeç, nga Balldreni i Elbasanit. Ata janë kapur në kufirin me shtetin grek, teksa po tentonin të kalonin lëndën narkotike, e cila ishte bërë gati për shitje dhe për këtë qëllim ndodhej në pako me pesha të ndryshme. Nga kontrolli policor u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 46 pako marijuanë, me peshë të përgjithshme 160 kilogramë. Droga është gjetur e fshehur në kabinën e mjetit furgon me targa EL 34 71 C, që ishte në pronësi të shtetasit Blerim Sina.

Operacioni

Furgoni me ngjyrë të bardhë, me të cilin udhëtonin dy trafikantët, është ndaluar në afërsi të vendkalimit kufitar të Kapshticës. Gjatë kontrollit të imtësishëm policor është gjetur sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike, ndërkohë që është bërë arrestimi në kushtet e flagrancës i dy shtetasve nga rrethi i Elbasanit. Burimet e policisë kanë thënë se nga të dhënat paraprake është mësuar se droga ishte siguruar në Jug të vendit, ndërkohë që një nga pakot mendohet se ka qenë me lëndë narkotike të zonës së Lazaratit, për shkak të një mbishkrimi që ka pasur në pjesën e sipërme të saj. Sipas policisë që ka ndjekur këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike, dy shtetasit kishin kryer një modifikim të mjetit në pjesën e kabinës për të fshehur pakot me drogë. Nga të dhënat paraprake mësohet se marijuana kishte si destinacion qytetin grek të Selanikut. Burimet policore kanë deklaruar se zbulimi i autorëve është bërë i mundur nga marrja e një informacioni të siguruar në rrugë operative, sipas të cilit mëngjesin e djeshëm do të transportohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Dy autorët ishin vënë në ndjekje derisa janë kapur me sasinë prej 160 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë. Ndërkaq, mësohet se materialet u kanë kaluar organeve kompetente për hetime të mëtejshme, ndërkohë që po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›