Raporti i ri i BE: Ku ngec Shqipëria

Komisioni Europian ka përgatitur një raport të ri për zhvillimet në Shqipëri, i cili thekson se në katër aspekte të rëndësishme Shqipëria nuk ka arritur të zbatojë kriteret politike që janë kushtet bazë të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të integrimit për marrjen e statusit të vendit kandidat, por edhe liberalizimin e vizave. Gazeta “Shqip” arrin të sigurojë dokumentin bazë që do të diskutohet në mbledhjen e 21 prillit në Strasburg, ku delegacioni i Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor do të nisë diskutimin e gjatë të situatës në Shqipëri dhe do të përgatisë takimin e parë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, që zhvillohet më 3 dhe 4 maj në Bruksel. Dokumenti përbëhet nga 6 faqe dhe ka të përmbledhura problemet kryesore të Shqipërisë në lidhje me plotësimin dhe mosplotësimin e prioriteteve të partneritetit europian.
ZgjedhjetDokumenti përmban në kokë titullin: “Komunikim ndërmjet Komisionit me Parlamentin Europian dhe Këshillin” dhe si nëntitull shkruhet “Strategjia e zgjerimit dhe sfidat 2009-2010. Paragrafët për Shqipërinë, të amenduar nga sekretariati i delegacionit për Europën Juglindore. Në krye të dokumentit theksohet se Shqipëria ka vazhduar të ketë progres në lidhje me kriterin politik në linjë me partneritetin europian. Zgjedhjet parlamentare të qershorit arritën shumicën e standardeve ndërkombëtare, por përpjekje më të mëdha janë të nevojshme për të zbatuar rekomandimet e bëra nga OSBE-ODIHR-i për zgjedhjet e ardhshme. Progres i qartë është bërë për regjistrimin e votuesve dhe shtratin ligjor, por janë regjistruar të meta të dukshme në procedurat e numërimit të votave. Listat e zgjedhësve janë hartuar në bazë të një regjistri të ri, që do të thotë se janë arritur në pjesën më të madhe standardet e kërkuara për prioritetet e partneritetin europian. Shpërndarja e kartave të identitetit për qytetarët që nuk kanë pasaportë është kompletuar gjerësisht. Megjithatë kultura e dialogut midis partive kryesore politike ka degjeneruar gjatë periudhës zgjedhore. Dialogu politik është një prioritet kyç i partneritetit europian, që duhet plotësuar menjëherë dhe duhet vendosur në krye të axhendës.
Shteti i së drejtësKa pasur pak progres sa i përket forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Rekomandimet kryesore të OSBE-ODIHR-it nga zgjedhjet e shkuara janë adresuar për reformën elektorale. Parlamenti ka adaptuar një numër të rëndësishëm ligjesh sipas standardeve të BE-së. Megjithatë, kultura e dialogut është e fshehur jashtë axhendës primare të partive politike dhe reforma thelbësore për vendin janë shtyrë. Shqipëria ka bërë progres në forcimin e strukturave për koordinimin e integrimit europian. Sidoqoftë duhet një forcim i kapaciteteve të planifikimit dhe hartimit të strategjive.
AdministrataNë këtë pikë, raporti i Komisionit Europian është mjaft i ashpër dhe thekson se ende në Shqipëri vazhdohet të zbatohen kontrata me afat të përkohshëm për nëpunësit civil. Mungesa e transparencës dhe ndjenja e përgjegjësisë mbetet një prioritet thelbësor i partneritetit europian që duhet të plotësohet. Duhen marrë masa të forta për të krijuar një shërbim civil të pavarur, eficent dhe të bazuar në meritokracinë, të pandikuar nga militanca politike. Forcimi i kapacitetit të departamentit të administratës publike dhe zbatimi i strategjisë do të jetë thelbësore për progresin e Shqipërisë.
Sistemi gjyqësorDokumenti i Komisionit Europian thekson se pak progres është bërë në reformimin e sistemit gjyqësor. Sistemi i përmbarimit është vënë në funksionim. Megjithatë duhet një strategji gjithëpërfshirëse për ta adaptuar në gjyqësor. Raporti i Komisionit Europian, pasi vë në dukje shfuqizimin e ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese, thekson se aktet kryesore për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatën Administrative mbeten pezull. Tentativat e ekzekutivit për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit mbeten një shqetësim serioz. Shtyrjet e procedurave në nivelet e larta siç është gjyqi i Gërdecit ka hapur dyshimin mbi pavarësinë e gjyqësorit.
KorrupsioniNë dokument theksohet se qeveria ka vazhduar përpjekjet për të parandaluar korrupsionin. Zbatimi i strategjisë antikorrupsion dhe aksion plani ka filluar, që përbën një prioritet të partneritetit europian. Megjithatë korrupsioni mbetet i qëndrueshëm në shumë fusha dhe përbën një problem veçanërisht serioz. Vullneti politik, përfshi edhe rastet e niveleve të larta, duhet të çrrënjosin kulturën e pacenueshmërisë, e cila vazhdon të mbizotërojë. Gjithsesi, rregullimet e duhura institucionale dhe koordinimi i agjencive që luftojnë korrupsionin kanë nevojë për forcime të mëtejshme.
PronatRaporti i Komisionit Europian thekson se është bërë pak progres në të drejtat e pronës që përbën një prioritet thelbësor për partneritetin europian. Edhe pse janë hartuar hartat e kompensimit të tokave duhen marrë masa të forta në këtë aspekt. Moszgjidhja e çështjes së pronave vazhdon të minojë zhvillimin dhe funksionimin e tregut të tokës dhe të arrijë thithjen e investimeve të huaja sipas potencialit, ndërkohë që ushqen mundësi për korrupsion. Raporti flet edhe për çështje të tjera që i trajton me kapituj të veçantë, të cilët do të jenë temë e diskutimit të takimit të 21 prillit në Strasburg nga delegacioni i Ballkanit i Parlamentit Europian dhe në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, i cili mbahet në Bruksel më 3 dhe 4 maj.
#