E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përcjell dy nga ambasadorët më kritikë ndaj tij

Share

Dy nga ambasadorët më të zëshëm në kritikat e tyre ndaj qeverisë dhe gjendjes së demokracisë në vendin tonë janë larguar nga Shqipëria. Ambasadorit danez dhe atij holandez u ka përfunduar mandati të dyve dhe janë larguar.

Berisha i ka përcjellë të dy me takime të posaçme. Dje ai takoi ambasadorin holandez Van Den Dool.

Ambasadori Van Den Dool e falenderoi përzemërsisht  kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer, të hapur, të ngushtë e miqësor, që ai ka pasur me qeverinë shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve.

Ambasadori Van Den Dool, u shpreh se largohet nga Shqipëria me përshtypjet më të mira dhe se gjatë këtyre katër viteve të fundit transformimet rrënjësore që kanë ndodhur në vend bëjnë çdokënd të mendojë se Shqipëria është sot një vend krejtësisht i ndryshëm nga çka qenë katër vjet më parë, thuhet në një njoftim të qeverisë.

Para pak ditësh Berisha priti në prag të largimit ambasadorin danez, Karsten Ankjaer Jensen.

Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Jensen për rolin dhe kontributin e tij, për çuarjen përpara të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe i uroi suksese në detyrat e ardhshme. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën e çmuar që Danimarka i ka dhënë këto 20 vite, Shqipërisë, në konsolidimin e demokracisë, anëtarësimin në NATO dhe në rrugëtimin e saj të integrimit europian. Ambasadori Jensen e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu falënderimet e përzemërta për mbështetjen e qeverisë shqiptare, në përmbushjen e detyrës së tij në Shqipëri, thuhet në njoftimin zyrtar të qeverisë.

Nga këto njoftime e kupton vërtet sa hall ka pasur Berisha me këto dy diplomatë. Për të dy Berisha ka shtruar nga një darkë përpara largimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›