E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përshëndet marrëveshjen KFOR-Kosovë

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes KFOR-it dhe Kosovës, për garantimin e kontrollit të kufirit verior.
 

“Qeveria shqiptare përshëndet mirkuptimin e arritur sot midis qeverisë së Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, me të cilën garantohet kontrolli i kufirit verior të Republikës së Kosovës dhe hidhen baza solide për zgjidhjen me negociata, bazuar në parimin e reciprocitetit, të çështjes së lëvizjes së lirë të mallrave midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të faqes së Kryeministrisë.
 

Po ashtu, qeveria shqiptare vlerëson bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in, gadishmerinë e saj për të vazhduar dialogun dhe negociatat në procesin e Brukselit.
 

“Qeveria shqiptare u bën thirrje të dy palëve që të vendosin për lëvizjen e lirë të mallrave në të dy drejtimet dhe për bashkëpunimin në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në interesin më të mirë të vendeve të tyre dhe rajonit në tërësi”, përfundon deklarata.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›