MPJ, mirëpret marrëveshjen Kosovë-KFOR

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, mirëpret arritjen e marrëveshjes për mirëkuptim të ndërsjelltë, mes Kosovës dhe komandantit të trupave të KFOR/NATO-s, për administrimin e gjendjes së re, të krijuar në pikat doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Ministria e Jashtme, përshëndet maturinë e treguar nga qeveria e Kosovës dhe veprimet e saj të vazhdueshme për normalizimin e situatës.
“Shqipëria vlerëson kontributin e komandantit të forcave të KFOR-it në Kosovë, gjeneralit Buhler dhe rolin e Bashkimit Evropian përmes ndërmjetësuesit të saj Robert Kuper, në arritjen e kësaj marrëveshjeje për tejkalimin e situatës së tensionuar në veri të Kosovës”, thuhet në këtë deklaratë.
Po ashtu, MPJ-ja vlerëson se kjo situatë shënon një realitet të ri, i cili duhet të jetë një motivim për ta çuar më tej procesin e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me qëllim që në të ardhmen të gjitha problemet ekzistuese midis dy vendeve, të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit.
Njëmbëdhjetë ditë pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për kthimin e kontrollit në veri, Hashim Thaçi, njoftoi arritjen e një pajtimi për situatën në pikat kufitare 1 dhe 31. Për dokumentin, sipas shefit të qeverisë, është pajtuar edhe KFOR-i.