E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përuron impiantin e ujërave në Korçë: Alternativa e PS, akuza, shpifje e bllokim

KORCE-Kryeministri Berisha është ndalur sot në qarkun e Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në Korçë. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar, shefi i qeverisë sulmoi sërish opozitën për bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë, për shkak të mosvotimit të tri ligjeve me shumicë të cilësuar. Sipas Berishës, në zgjedhjet e 23 qershorit përballë programit të PD-së për mirëqënie e punësim, qëndron alternativa e akuzave dhe bllokimeve.

“Duke ju ftuar ju të zhvillojmë së bashku fushatën më dinjitoze për ju, vlerat tuaja, vlerat e shqiptarëve, ju bëj thirrje që në 23 qershor të mendoni cila është alternativa e PD-së dhe koalicionit të saj dhe hidhni sytë në alternativën tjetër. Ajo është, akuza akuza, shpifje shpifje, bllokime dhe bllokime. Ata nuk votuan 3 ligjet për tu bllokuar shqiptarëve statusin, ata nuk kanë votuar për marrjen e vizave, bënë gjithçka për të bllokuar marrëveshjen e stabilizim-asocimit, por ne e firmosëm atë. Ata nuk votuan për ndërtimin e unazës së Korçës, ndërtimin e këtij impianti, ndërtimin e landfillit së shpejti, por në i ndërtuam dhe do t’i ndërtojmë ato. Ata nuk pendohen me bllokimet e tyre sepse nuk kanë interesat tuaja. Programi ynë është i qartë, bëjmë gjithçka për një mirëqenie më të mirë. Kemi rritur rrogat, pensionet. Në të gjitha rastet është unike në Europë dhe bote se opozita voton kundër rritjes se rrogave dhe pensioneve. Në çdo vend të botës, opozita bën betejën më të madhe që të rrisë edhe më shumë përqindjen e rritjes se rrogave dhe pensioneve.”- deklaroi kryeministri. 

Ndërsa renditi premtimet e tij, bazuar në shtyllat e Aleancës së djathtë, për punësim, mirëqenie dhe integrim, kryeministri u zotua për krijimin e vendeve e të reja të punës, rritjen e pagave e pensioneve dhe vazhdimin e investimeve në infrastrukturën rrugore e ujore.

“Me këtë impiant Korça hyn në hartën e qyteteve më të pastra të Europës dhe botës. Pas infrastrukturës rrugore, infrastruktura ujore është e të njëjtës rëndësi. Furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm, trajtimi i ujërave të zeza pëbën një nga përpjekjet tona më të fuqishme për realizimin e Shqipërisë së zhvilluar. Zotohemi se do t’i bëjmë ujërat tona, ujërat më të pastra që mund të ekzistojnë. Do ti’ rikthejmë ato në pastërtinë e tyre natyrale. Do t’i bëjmë të pastra, siç është vetë Korça dhe mjedisi shqiptar. Ne synojmë krijimin e vendeve të punës në qytet, fshat dhe kudo. Kjo është alternativa jonë, e cila ka shumë djersë, mundime, sakrifica, por një gjë është e sigurt, ajo ka sukses dhe kjo është e faktuar. Ne i mbajmë premtimet tona, mund të ndodhë ndonjëherë një shtyrje në kohë, por ju garantoj se kurrë nuk i lemë pa realizuar ato”- u shpreh kryeministri Berisha. 

IMPIANTI I PERPUNIMIT TE UJERAVE TE ZEZA
Impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Korçë është një investim me vlerë 37,5 milionë euro, për shtrimin e afro 80 km tubacione kanalizimesh për impiantin e trajtimit të ujit të ndotur, me kapacitet që t’i shërbejë 105,000 banorëve. 

Impianti është me trajtim biologjik me sistem të ajruar, metodë kjo që dallohet për efikasitetin e lartë në largimin e ndotjes dhe lëndës së ngurtë pezull. Ky trajtimi ka dy avantazhe, harxhim të ulët të energjisë dhe kosto e ulët e operimit dhe mirëmbajtjes.

Ai është realizuar ne përputhje me standardet evropiane. Është ndërtuar i gjithë rrjeti i brendshëm i kanalizimeve te Korçës. Paralel me sistemin e kanalizimeve është ndërtuar plotësisht i ri edhe sistemi i veçante i ujërave te shiut. Ka përfunduar dhe është në punë kolektori kryesor qe lidh kanalizimet me impiantin, si dhe ka përfunduar me sukses Impianti i Trajtimit të Ujit te ndotur, i cili i shërben te gjithë korçareve si dhe perspektives se rritjes demografike 20 vjeçare. Uji që përftohet pas trajtimit në këtë impiant do të përdoret në bujqësi.

Gjatë vizitës së tij në Korçë, Kryeministri Berisha do të zhvillojë edhe një bashkëbisedim në rrobaqepësinë “Industria Ballkanike e Veshjeve” S.A. në Bilisht, me sipërmarrës dhe punëtorët e këtij biznesi.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha: Fermerët dhe biznesi i huaj do përfitonin më shumë nga statusi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›