E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenden në Malin e Zi 3 fëmijët e zhdukur në Kurbin: Udhëtuam për qejf

LEZHE – Mbërrijnë në pikën kufitare të Muriqanit tre fëmijët nga Kurbini, të zhdukur një ditë më parë. Fëmijët e moshës 14 vjeçare: Klaudio dhe Zani Murati, e Ervin Hidri janë pritur nga familjarët e tyre në këtë pikë kufitare, 24 orë pas largimit të tyre. Ata kanë rrëfyer për policinë kufitare të gjithë aventurën e nisur dje pas mësimit.

Në dëshminë e tyre, të miturit kanë rrëfyer sesi kanë shkuar me furgon deri në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe kanë kaluar ilegalisht kufirin nga mali, e më pas kanë udhëtuar me tren deri në Tivar. Pas disa orësh, 3 fëmijët i janë drejtuar policisë së kësaj zone, e cila ka kontaktuar me familjarët, duke shuar dyshimet e tyre për një trafikim të mundshëm të të miturve. Klaudio dhe Zani Murati, e Ervin Hidri i kanë deklaruar gjithashtu policisë kufitare në Muriqan se motivi i aventurës së tyre, ishte një udhëtim për qejf.

NGJARJA
Familjarët e tre të miturve nga Fushë-Miloti mbrëmjen e djeshme kanë denoncuar në policinë e Kurbinit zhdukjen e fëmijëve të tyre. Fëmijët janë larguar mëngjesin e djeshëm nga banesat e tyre, të cilat janë ngjitur dhe nuk janë kthyer më.

Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Hamza Shabani, xhaxhai i Klodianit, tregoi se fëmijët ishin nisur në mëngjes për shkollë dhe duhet të ktheheshin pak pas mesditës, por nuk ka ndodhur kështu. Prindërit kanë kontaktuar edhe me mësuesen kujdestare, e cila ka pohuar se të tre nxënësit kanë qenë në shkollë deri në orën 11:00 dhe më pas mësimi ka mbaruar dhe ata janë larguar për në shtëpi. Me gjithë kërkimet e shumta, tek të afërmit dhe në zonën përreth, familjarët nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë nga fëmijët.

Mbrëmjen e djeshme ata kanë denoncuar në Policinë e Kurbinit për zhdukjen e 3 të miturve, e cila ngriti patrulla të shumta dhe kreu kërkime në të gjithë zonën. Pas njoftimit të autoriteteve malazeze, policia zbuloi se fëmijët kishin kaluar kufirin dhe ndodheshin në shtetin fqinj. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›