E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përuron portabilitetin e numrit, bën thirrje për uljen e tarifave

SHKRUAN: Sabina Veizaj 03-05-2011 11:46

Nëqoftëse ke një numër celular të një kompanie të caktuar dhe do ta ndryshosh kompaninë për arsye të ndryshme, por nuk do që të humbësh numrin sepse të gjithë kontaktet e tua njohin këtë numër, shumë thjesht mund të ndryshosh kompaninë, por jo numrin. Kjo bëhet vetëm nëqoftëse ti me këtë numër ke të paktën gjashtë muaj që e ke në përdorim. Kjo bëhet përmes procesit që quhet portabilitet i numrit ose bartja e të njëjtin numër nga një kompani e telefonisë së lëvizshme në një tjetër. Të gjithë klientët e telefonisë së lëvizshme mund të përfitojnë nga ky shërbim që sot. Baza e të dhënave për shërbimin e portabilitetit të numrit u përurua dje nga kryeministri Sali Berisha. Kryeministri gjeti rastin në këtë takim për të tërhequr edhe një herë vëmendjen e operatorëve celularë për tarifat e larta të shërbimeve. Kryetari i Bordit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Piro Xhixho, u shpreh se portabiliteti është një hap kyç për nxitjen e konkurrencës në tregun e komunikimit. Çdo klient i telefonisë celulare mund të përfitojë nga shërbimi i portabilitetit të numrit, duke shkuar tek operatori ku dëshiron të kalojë dhe duke plotësuar një kërkesë të thjeshtë. Portabiliteti i numrit do të bëhet falas dhe brenda tre ditësh nga koha kur abonenti do të paraqesë kërkesën tek operatori marrës. Ndërsa AKEP kohë më parë ka miratuar edhe dokumentin me termat Teknike dhe Komerciale, që qartëson plotësisht kuadrin që do të mundësojë portabilitetin. Sipas rregullores së bartjes së numrit, në rastin e caktimit të disa numrave një pajtimtari, në karta të veçanta SIM ose pajisje të tjera, pajtimtari mund të kërkojë një bartje individuale, të pjesshme ose të plotë për numrat respektivë. Në rastin e caktimit të numrave të shumëfishtë një pajtimtari për shërbime zanore, shërbime data, shërbime fax-i në një kartë SIM, pajtimtari mund të kërkojë një bartje individuale, të pjesshme ose të plotë për numrat respektivë. Ligji kërkon që operatorët të mbulojnë kostot për këto ndryshme dhe tarifat e portabilitetit të numrit të jenë të orientuara drejt kostos. Portabiliteti i numrit pritet t’i mundësojë konsumatorëve përfitime të mëdha, veçanërisht pajtimtarëve të telefonisë së lëvizshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›