Prodhimi bujqësor, fermerët profilizohen
Fermerët kanë filluar të kategorizojnë prodhimet e tyre bujqësore, çka po rrit cilësinë dhe sasinë e prodhimit. Kryetare e Unionit të Kursim Kreditit, Zana Konini tha se fermerët po largohen nga mënyra e mbjelljes së të gjitha produkteve, duke u fokusuar në prodhime të veçanta. Sipas statistikave, aktualisht eksportet shqiptare të produkteve bujqësore janë 10 herë më të ulëta se importet. Të dhënat më të fundit të publikuara nga INSTAT rezultojnë se shkëmbimet tregtare gjatë muajit mars kanë pësuar ulje, në krahasim me një muaj më parë. Kështu eksportet pësuan një ulje me 15.4 për qind, në krahasim me shkurtin, ndërsa importet u rritën me 13.9 për qind, në krahasim me një muaj më parë. Fillimi i sezonit të prodhimeve vendase pritet të sjellë gjithashtu ulje çmimesh, pasi produktet e vendit janë me pakicë dhe këto po zëvendësojnë mallrat e importit. Me një variacion të madh mikroklimash, në raport me sipërfaqen e vogël, një nga avantazhet konkurruese të Shqipërisë është se kushtet e saj klimatike janë të përshtatshme për prodhim të hershëm dhe të vonë të kulturave bujqësore me vlerë të lartë. Shfrytëzimi i këtyre avantazheve krahasuese dhe transformimi i tyre në avantazhe konkurruese, kërkon ndërhyrje me teknologji që do të bënin të mundur përzgjedhjen e kulturave bujqësore dhe varieteteve që kanë për destinacion tregje specifike, uljen e kostos së prodhimit dhe përmirësime në cilësi.