Brukseli rrëzon ristrukturimin e borxhit grek
Një ristrukturim i borxhit grek, kërkuar nga disa ekonomistë dhe mbi të cilin spekulojnë tregjet, nuk bën pjesë në strategjinë e Bashkimit Europian, rikonfirmoi dje komisioneri i Çështjeve Ekonomike, Olli Rehn. "Përkrahësit për një ristrukturim të borxhit duket se injorojnë përfshirjet potencialisht shkatërruese për vetë vendin dhe për zonën euro në tërësi'', - deklaroi Olli Rehn, në një konferencë mbi stabilitetin financiar në Bruksel.
Rehn theksoi përveç të tjerash se, nuk pajtohet me ata që thonë se, strategjia e menaxhimit të krizës nga BE-ja përsa i përket Greqisë është e paqartë. "Qëllimi i strategjisë tonë ka qenë pengimi i përsëritjes së dështimit të menjëhershëm të tregjeve, si ai i bankës amerikane Lehman Brothers në shtator 2008",- u shpreh Rehn. Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane përjashtuan çdo mundësi për një ristrukturim të borxhit grek, ndërkohë që investitorët u shprehën se Greqia nuk do të mund ta respektojë ashtu siç ka premtuar borxhin e saj publik.