Xhamia e Tiranës, zbardhet projekti fitues
Studioja projektuese BIG nga Danimarka është shpallur fituese e konkursit ndërkombëtar për ndërtimin e Xhamisë së Re dhe Muzeut të Bashkëjetesës Fetare për kryeqytetin. Ka qenë vetë kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, që ka bërë të ditur emrin e studios të përzgjedhur si fituese nga pesë që ishin në garë, dhe, sipas tij, projekti i studios BIG ishte më i përballueshmi dhe nga ana financiare. “Duke vlerësuar këto projekte, vlerësuam se propozimi që ka më shumë potenciale të arsyeshme dhe të përballueshme në kushtet e një komuniteti fetar dhe një qyteti që nuk mund t’i lejojë shpenzime të papërballueshme, në të gjitha ato pika referimi, juria vlerësoi se studioja BIG ka bërë propozimin më të mirë”, - pohoi Rama. Ndërkaq, ai ka sqaruar edhe tre aspektet kryesore se pse juria e kryesuar prej tij ka zgjedhur studion BIG si projektuese të Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës. “Aspekti i parë ka të bëjë me daljen e xhamisë në shesh, pra krijimin e një hapësire që përmbush nevojat e besimtarëve për faljet e së premtes, faljet për ditë të mëdha të veçanta të vitit, që do mbushë hapësirat me besimtarë, por dhe për faljen e përditshme. Së dyti, kemi vlerësuar si një element tërheqës kopshtin e Kuranit, krijimin e një kopshti rreth xhamisë, që do përmbajë të gjitha pemët dhe bimët e përmendura në Kuran në një numër aq herë sa përmenden në librin e shenjtë të Kuranit. Besojmë se kjo është një vlerë e veçantë që ka propozimi, dhe së treti kemi prirjen e qartë që kemi për t’u orientuar drejt materialeve të vendit, drejt gurëve dhe mundësive që ka sot vendi dhe në trajtimin e materialeve të ndërtimit dhe sigurisht kemi vlerësuar se kostoja e këtij projekti për xhaminë dhe më tej për muzeun është një kosto e arsyeshme”, - theksoi Rama gjatë prezantimit të studios fituese. Para prezantimit të studios fituese, kreu i Bashkisë së Tiranës e ka nisur fjalën e tij pikërisht me një sqarim për çështjen e truallit ku do të ngrihet xhamia e re, duke pranuar në mënyrë indirekte edhe problematikën që ekziston për këtë tokë. Njëkohësisht Rama ka dhënë edhe garancinë verbale se çështja e truallit do të zgjidhet pa cenuar asnjë pronë apo pronar. “Ky projekt është shumë ambicioz dhe është një sfidë më vetë për Tiranën dhe sigurisht kërkon punë. Në këtë aspekt, Bashkia e Tiranës ka gjithë hapësirën e nevojshme dhe ekspertizën e nevojshme tekniko-ligjore për të zgjidhur të gjithë problematikën. Ne jo vetëm që i garantojmë se ky projekt dhe posaçërisht ai për xhaminë e re dhe qendrës së kulturës islamike janë konform planit të zhvillimit të qytetit dhe të gjitha normave ligjore që kërkojnë ndërtimin e një godine pa cenuar asnjë pronë dhe asnjë pronar, ky ishte një sqarim për të gjithë”, - ka deklaruar Rama. Përzgjedhja e projektit arkitekturor e çon një hap më përpara ndërtimin e Xhamisë së Re në Tiranë, ndërkohë që faza tjetër është konsultimi me Komunitetin Mysliman para inaugurimit të punimeve. Për këtë nënfazë të projektit Rama ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Komunitetin Mysliman, për t’i dhënë një identitet sa më të qartë Xhamisë së Re.