E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pranon: “Hapim kutitë me materialet zgjedhore”

Kryeministri thekson se kjo pikë lejohet nga ligji. Kreu i qeverisë, optimist për arritjen e marrëveshjes

Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha ka pranuar propozimin për hapjen dhe hetimin e kutive me materialet zgjedhore, pikë kjo që është kundërshtuar rreth një javë më parë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së. Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i qeverisë u shpreh dje optimist për arritjen e marrëveshjes së konsensusit, ndërkohë që shtoi se ai pranon çdo opsion që lejohet nga ligji. Kryeministri tha se “ka një vendosmëri dhe vullnet të padiskutueshëm që në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e gjykatave të këtij vendi, të cilat mundësojnë t’i jepet përgjigje dinjitoze çdo force politike dhe çdo qytetari të Shqipërisë, çdo gjë është e mundshme”.
Qëndrimi
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria është e gatshme për çdo kompromis që është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. “Unë mendoj se qeveria, në përputhje me të gjitha përcaktimet kushtetuese ligjore të vendit, është e gatshme për çdo kompromis, normal pa asnjë lloj hezitimi”, - është shprehur Berisha. I pyetur se cilat janë pikat ku mund të lëshojë, Berisha tha se çdo gjë që nuk shkel ligjin. “Përveç Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave, unë lëshoj në çdo pikë. Unë nuk di ndonjë pikë ku nuk mund të lëshoj. Në të gjitha, sipas këtyre përcaktimeve. Është normale. Siç e dini, nuk ka vakuum ligjor. Gjërat janë qartësisht të përcaktuara. Është shumë e rëndësishme që cilido që dëshiron të përfitojë nga hapësirat e mëdha që krijojnë ligjet e vendit, Kushtetuta e vendit, vendime të tjera. Unë kam besim se kjo do të ndodhë. Vlerësoj çdo përpjekje, të cilitdo, që të përfitojë nga ato çka garantojnë ligjet. Ligji garanton plotësisht dhe tërësisht shqyrtimin nga secili prej jush, nga secila forcë politike të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave në arkiv dhe çdo të drejtë tjetër, të cilën ligji i njeh gjithkujt, unë kam provuar të respektoj liritë dhe të drejtat e çdo njeriu. I respektoj ato me vendosmërinë më të madhe”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka pohuar për herë të parë mundësinë e hapjes së kutive me materialet zgjedhore. Vetëm një javë më parë kjo pikë e propozuar nga ambasadori Bosh në Tiranë është rrëzuar poshtë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së.
Argumentet
Gjatë një konference për shtyp, Patozi argumentoi se në Kodin Zgjedhor theksohet se materialet zgjedhore, pas përfundimit të procesit zgjedhor, shkojnë në Arkivin Qendror të Shtetit. “Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, - citoi Patozi nenin e Kodit Zgjedhor, duke shtuar se “është KQZ-ja që hap kutitë e votimit dhe se hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe dërgimi e tyre në arkiv, për arsye themelore kushtetuese, shoqërohet me asgjësimin e fletëve të votimit”. Kreu i Grupit Parlamentar theksoi se çdo qëndrim tjetër i ndryshëm nga ky që përcakton Kodi Zgjedhor, është antiligjor dhe antikushtetues. Patozi përsëriti se propozimi i Ramës për hapjen e kutive të votimit bie gjithashtu ndesh me vendimin e Kolegjit Elektoral. “Rama nuk disponon asnjë dokument për kundërshtim të votave gjatë numërimit”, - sqaroi Patozi. Por, sipas kreut të Grupit, edhe propozimi i PS-së për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias në lidhje me hapjen ose jo të kutive të votimit në komisionin parlamentar është antiligjor. Sipas Patozit, për të formuluar këtë kërkesë është keqpërdorur një rekomandim i Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Në këtë kuadër, kreu i Grupit të PD-së theksoi se të drejtën për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias nuk e ka PS-ja, por Gjykata Kushtetuese.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›