E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i ndërkombëtarëve: Zgjidhja, brenda 2 javëve



I gjithë faktori ndërkombëtar, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i ka bërë apel politikës shqiptare që të gjejnë zgjidhje sa më parë për krizën politike. Ndërsa gjatë darkës në Strasburg ndërkombëtarët kanë vendosur një afat prej 2 javësh për të gjetur zgjidhjen. Ende pa mbaruar darka me përfaqësuesit e politikës shqiptare, zyra e komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle, ka hartuar një deklaratë të përbashkët me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kethrin Eshton, në të cilën mbështesin iniciativën e kreut të Partive Popullore Europiane, Zhozef Daul dhe atij të Partive Socialiste Europiane, Martin Shultz, për t’i ulur të dyja palët shqiptare në bisedime për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në deklaratën e përbashkët, ndër të tjera, thuhet: “Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit europian. Gjithashtu, një sërë arritjesh të tjera kërkojnë kurajë politike. Bashkimi Europian është seriozisht i shqetësuar për ngërçin e vazhdueshëm politik. Jemi të shqetësuar për mosfunksionimin e Parlamentit dhe efektet pasuese nëpër institucionet e tjera. Është koha më e mirë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale politike mbi baza që do t’i rezistojnë kohës. Prosperiteti i Shqipërisë nuk duhet të ndikohet nga vazhdimi i status quo-së”. Përfaqësuesja e lartë e BE-së dhe komisioneri i bashkohen thirrjes nga ana e grupeve politike të Parlamentit Europian për kreun e qeverisë dhe kreut të opozitës për të marrë përgjegjësinë për gjetjen e një zgjidhjeje që do të çojë përpara, në mënyrë të qëndrueshme dhe të shpejtë, në përputhje me aspiratat e qytetarëve e Shqipërisë, Kushtetutës dhe parimin e transparencës.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›