E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Brenda dy javëve kutitë me fletët e votimit do të hapen”

Kreu i PS-së: “Parlamenti të ngrejë komisionin hetimor me shumicën e PS-së”

Partia Socialiste ka shprehur optimizmin se ekziston mundësia e hapjes së kutive për hetimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Një pikë mjaft kritike kjo dhe aspak në përputhje me deklaratën e shefit të Ekzekutivit, Sali Berisha, pas darkës në Strasburg, i cili është shprehur i gatshëm vetëm për hapjen e kutive që përmbajnë dokumentacionin zgjedhor. Kështu, hapja e kutive të materialeve zgjedhore është deri tani emëruesi i përbashkët për Sali Berishën dhe Edi Ramën për të kryer transparencën. Megjithatë, selia rozë mbetet e angazhuar për t’i dhënë zgjidhje krizës dhe nuk do të ndalet dhe as zmbrapset në realizimin e transparencës.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, dje, në një bashkëbisedim me gazetarët, deklaroi se hapja e kutive tashmë nuk është më një tabu dhe se PS-ja është e gatshme që kriza të përfundojë brenda afatit kohor prej dy javësh. Për të ruajtur konfidencialitetin e bisedimeve në Strasburg, Rama nuk dha asnjë detaj mbi diskutimet me ndërkombëtarët. Rama tha se tashmë i mbetet Parlamentit të ngrejë komisionin hetimor, ku shumicën pritet ta ketë PS-ja.
Deklarata
Pas një greve 19-ditore dhe një takimi të negociuar nga ndërkombëtarët mes Ramës dhe Berishës, kreu i socialistëve deklaroi dje se përsa i përket hapjes së kutive, mbetet të zgjidhet metodologjia që do të bëjë të mundur këtë. “Mbetet për të diskutuar dhe zgjidhur se si do të procedohet konkretisht, por tanimë është e qartë se të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë nuk do të mbeten më në errësirën e kutive të mbyllura”, - tha Rama.
Rama shpreson se zgjidhja do të vijë brenda dy javësh dhe se PS-ja po angazhohet plotësisht ta realizojë afatin e caktuar nga ndërkombëtarët. Për Ramën, greva dhe protestat ishin nisja e iniciativës për kutitë, kurse diskutimet e Strasburgut ishin pika kulmore e përpjekjeve të opozitës. “Falë përpjekjeve, sakrificave të atyre djemve dhe vajzave që morën hapin e hynë në grevë, ne sot jemi besimplotë. Dua të vlerësoj duke u nisur në faktin se kutitë do të hapen, nuk janë më tabu, siç ishin 5 ditë më parë”, - deklaroi Rama, duke theksuar se “sot ne jemi në pikën më kulmore të përpjekjeve tona të vështira, jemi në një stacion shumë të rëndësishëm të rrugës sonë të guximshme, por kemi të gjitha arsyet të besojmë se e gjithë kjo përpjekje dhe rrugë që kemi bërë jo vetëm që vlejti, por dhe për të arritur në një rezultat konkret. Kjo ishte përgjigjja më e mirë ndaj cinikëve dhe cinizmave të grevës tonë”.
Kompromisi
Kreu i socialistëve bëri thirrje për kompromis, por njëkohësisht bëri të qartë se kompromisi nuk mund të gjendet te zbatimi i plotë i pikës 6 të nenit 178 të Kodit Elektoral, i cili flet për djegien e fletëve të votimit pas hapjes së kutive me materialet zgjedhore. Ai refuzoi rreptësisht zbatimin e këtij nenit. Megjithatë, Rama theksoi se ka ende një diskutim për të përcaktuar çështjen e fletëve të votimit, për të cilat ka debat dhe palët janë ende larg, por theksoi se socialistët janë të hapur për të gjetur një zgjidhje edhe në këtë pikë. Kreu i socialistëve theksoi si shumë të rëndësishme afatin kohor kur do të vijë zgjidhja. “Është e domosdoshme të nënvizohet që në këtë fazë kaq të rëndësishme zgjidhja nuk do vonojë, palët nuk duhet të luajnë lojën ‘E ka, kush e ka?’ në kushtet kur është vendosur një afat, i cili ka një kufi ultimativ për t’i dhënë fund dhe zgjidhje përfundimtare kësaj krize”, - nënvizoi kreu i PS-së.

Box
Kompromisi i propozuar disa ditë më parë nga ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, për zgjidhjen e krizës politike mbështetet në një plan me pesë pika. Ndërkombëtarët po përpiqen së pari që palët të bien dakord të hetojnë zgjedhjet nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar ku shumicën ta ketë opozita, bashkë me kryetarin e komisionit. Po kështu do të shqyrtohet mundësia që nëpërmjet këtij komisioni, Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen që i përket hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave. Nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese propozohet që të merret opinioni i Komisionit të Venecias përsa i përket kërkesës kryesore të PS-së, që është hapja e kutive me fletët e votimit. Më pas do të synohet që palët të pranojnë hapjen e kutive me materialet zgjedhore dhe së fundi, që të dyja partitë politike të nisin punën për të realizuar reformën e re zgjedhore sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që Kodi i ri Zgjedhor të jetë gati para zgjedhjeve lokale. Po kështu, ndërkombëtarët do të kërkojnë ndarje të balancuar të drejtimit të komisioneve parlamentare, bashkëpunim për një reformë konsensuale në sistemin e drejtësisë.

Gjiknuri: “Maxhoranca të negociojë, ose do të mbajë përgjegjësi”

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaroi dje për një media se pas takimit në Strasburg, maxhoranca dhe opozita mund të negociojnë gjithçka, duke mos lënë asnjë çështje mënjanë, përfshirë edhe kutitë e votimit. Ai nënvizoi se institucionet ndërkombëtare po ushtrojnë presion për të gjetur kush janë rrënjët e krizës dhe si dilet prej saj. "Gjithçka është në negocim për zgjidhjen e krizës. Për herë të parë gjithçka është në diskutim dhe nuk mund të përjashtohet asgjë në negociata", - u shpreh deputeti Gjiknuri. Ai tha se maxhoranca duhet të ketë vullnet për zgjidhjen e krizës, në të kundërt duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj. Deputeti nënvizoi se opozita do të bëjë gjithçka që të kryhet hetimi i zgjedhjeve. "Opozita do të vijojë të artikulojë propozimin e saj. Do të bëjmë gjithçka që hetimi të kryhet. Do të ulemi me palën tjetër, do të bashkëpunojmë edhe me negociatorët që të bëhet zgjidhja e duhur", - theksoi Gjiknuri. Ai beson se do të ketë një zgjidhje të arsyeshme për situatën politike në vend.

Kutitë
Rama deklaron se kutitë me fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit do të hapen t’u hetuar

Diskutimi
Rama dhe Berisha kanë rënë dakord vetëm për hetimin e materialeve zgjedhore; hapja e kutive është çështje në diskutim

Zgjidhja
Kreu i PS-së, Edi Rama, është i gatshëm që kriza të zgjidhet brenda afatit kohor

Kompromisi
Kryesocialisti i bën thirrje maxhorancës për kompromis, i cili nuk vjen nga neni i Kodit Elektoral për djegien e fletëve të votimi

Hetimi
Rama i bën apel Parlamentit të ngrejë komisionin hetimor me shumicën nga PS-ja për hetimin e zgjedhjeve të kaluara

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›