Bilanci: 11.400 hektarë tokë nën ujë

Shifrat e publikuara nga Ministria e Brendshme flasin për 2649 shtëpi të përmbytura dhe 5148 persona që janë evakuuar nga banesat e tyre.
TIRANë - Reshjet kanë pushuar në veri të vendit, por situata e përmbytjeve në ditën e 12-të ka vijuar të jetë e vështirë për banorët e Qarkut të Shkodrës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme për situatën e përmbytjeve, ndodhen nën ujë gjithsej 11.400 ha tokë dhe rreth 2649 shtëpi, ndërsa janë evakuuar gjithsej 5148 persona. Zonat më të prekura janë komuna Bushat me 2500 ha tokë dhe rreth 300 shtëpi të përmbytura, komuna Bërdicë me 2100 ha tokë, Dajçi e Velipoja me nga 2000 ha tokë nën ujë. Gjithashtu, në Dajç është shënuar edhe numri më i madh i shtëpive të përmbytura, me rreth 1187.
Shpërndarja e ndihmave dhe operacionet e tjera po kryhen sipas planit të parashikuar në mbledhjen e mbrëmshme të Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile. Ministria e Brendshme njoftoi edhe për të dhënat deri në orën 14:00 të prurjeve dhe derdhjeve në hidrocentrale. Kështu, niveli maksimal në Fierzë arrin 296.00 metra, në 175.00 metra; në Vaun e Dejës është 76.00 metra, ndërsa në Ulzë-Shkopet arrin deri 128.80 metra. Prurjet në hidrocentralin e Fierzës janë 450 metra kub në sekondë, ndërsa derdhjet me 630 metra kub në sekondë. Në hidrocentralin e Komanit prurjet janë rreth 150 metra kub në sekondë kurse derdhjet më të mëdha rreth 800 metra kub ujë për sekondë. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës prurjet shkojnë deri në 200 metra kub ujë në sekondë, ndërsa derdhjet vazhdojnë të jenë më të larta, me 730 metra kub ujë në sekondë. Në Ulzë-Shkopet prurjet shkojnë deri në 100 metra kub ujë në sekondë, ndërsa derdhjet rreth 24 metra kub ujë në sekondë.
Rritet niveli i ujit në Stërbeq
Niveli i ujit në fshatin Stërbeq të Malësisë se Madhe në Qarkun e Shkodrës, disa zona të të cilit prej ditësh gjenden të përmbytura si pasojë e shirave të dendur që detyruan edhe hapjen e portave të hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin, është rritur gjatë natës së të martës. Nënprefekti i Malësisë së Mashe, Sytki Ndreca, ka thënë se "rritja e nivelit të ujit në këtë fshat dhe disa zona buzë liqenit të Shkodrës ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së nivelit të ujit në këtë liqen”, - citon ATSH. Sipas Ndrecës, përballë kësaj situate kanë reaguar menjëherë strukturat shtetërore, të cilat kanë bërë të mundur marrjen e masave të menjëhershme për evakuimin e banorëve më të kërcënuar nga vërshimi i ujit”. Përmirësimi i kushteve atmosferike vjen gati pas dy javësh reshje intensive të shiut në këtë rajon, që detyruan edhe hapjen e digave të hidrocentraleve, duke shkaktuar një situatë emergjente në Ultësirën e Shkodrës dhe lagjet periferike të qytetit.
Bilanci i përmbytjeve sipas Ministrisë së Brendshme
Nr Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të evakuuar Shtëpi të përmbytura
1 B. Shkodër 250 ha 616 330
2 K. Dajç 2000 ha 2000 1187
3 K. Ana Malit 1200 ha 282 180
4 K. Velipojë 2000 ha 200 50
5 K. Bërdicë 2100 ha 810 368
6 K. Guri Zi 1000 ha 730 210
7 K. Bushat 2500 ha 500 300
8 K. Qendër, M. Madhe 50 ha 10 8
9 K. Rrethina 300 25 16
Gjithsej 11.400 ha 5148 persona 2649 shtëpi
Kukës
Barinjtë i drejtohen tregu
të zi për ushqimin e bagëtive
KUKëS - Barinjtë e Rrethit të Kukësit, të cilët prej ditësh ndodhen në një situatë mjaft kritike në zonat e Shkodrës dhe Lezhës, si rezultat i përmbytjeve të krijuara, i janë drejtuar sot tregut të zi për të blerë ushqimin e bagëtive. Sipas tyre, ndihma që kanë marrë nga shteti nuk mjafton as për dy ditë. çmimi i ushqimit ndërkohë është dyfishuar.
Pesë barinjtë e Rrethit të Kukësit, të cilët kanë shtegtuar në zonat e Ultësirës së Shkodrës bagëtitë e tyre e që prej dy javësh po përjetojnë një situatë të vështirë, kanë deklaruar se i janë drejtuar tregut të zi për të shpëtuar delet e tyre nga uria. Sipas tyre, ndihma që kanë marrë nga shteti, në koncentrat, nuk mjafton as për dy ditë. Siç tregon njëri nga barinjtë, Sami Lashi, sot ka dalë në tregun e Shkodrës dhe ka blerë me paratë e tij koncentrat dhe bar, pasi ndihma që i kanë dhënë ca veterinerë ka qenë jashtëzakonisht e vogël. “Sot, njëri nga veterinerët më dha një sasi koncentrati dhe pas përpjesëtimit të tij në krerë, konstatova se i binte që për një kokë dele të kisha 5 kg koncentrat për pesë ditë me radhë. Unë u habita, sepse 5 kg nuk mjaftojnë as për dy ditë, pasi kullota nuk ka më dhe delet duan të hanë. Duke parë këtë, mora ca para që kisha lënë mënjanë dhe dola në tregun e zi. Kur shkova atje, pashë se çmimi i barit dhe koncentratit ishte dyfishuar nga tregtarët”. Një situatë të tillë po e kalojnë edhe 4 barinjtë e tjerë. Nezir Karangja thotë se ka marrë pak koncentrat, por kjo sasi është e pamjaftueshme. “Edhe unë isha me Samiun kur shkuam në pazar dhe u çuditën kur mësuam se çmimi ishte dyfishuar. U thamë atyre tregtarëve se ndodhemi në një situatë të keqe, por ata u shprehën se ekonomia e tregut këto raste gjuan. Edhe dy vëllezërit e mi që kanë rreth 1500 dele, këtë hall kanë dhe nuk dihet se për sa ditë delet do të mbijetojnë”. Shpërndarjen në një sasi kaq të vogël të koncentratit e kanë pranuar edhe vetë veterinerët që po u vijnë në ndihmë barinjve. Të kontaktuar me telefon nga “Korrieri”, ata thonë se po bashkëpunojnë me homologët e tyre të Shkodrës dhe po shpërndajnë sasinë që u kanë vënë në dispozicion pesë barinjve. Nga pesë kilogramë koncentrat është siguruar edhe falë bashkëpunimit të tyre me disa shoqata bujqësore që operojnë në zonë. Të pyetur se a del kjo sasi për një numër kaq të madh delesh dhe për disa ditë me radhë ata janë shprehur se e dinë situatën, por kaq kanë në dorë. Barinjtë që tashmë janë në pikë të hallit, po shohin mundësinë e evakuimit të tufave të tyre drejt Lushnjës ,pasi sipërfaqja e kullotave vjen duke u ulur çdo ditë, ndërsa rreziku i mbytjes së deleve vjen duke u rritur në çdo çast. “Ne, nëse vijon kjo situatë, do të detyrohemi të marrim borxh dhe të ikim nga këtu e të stabilizohemi në Lushnjë. Për të shkuar deri atje duhen shumë para, të cilat aktualisht nuk i kemi. Ky fakt po na mban këtu, ku nuk ka gjë tjetër ,veçse ujë”. Dëmet që u janë shkaktuar e që po u shkaktohen vijojnë të jenë të konsiderueshme, ndërsa ndihma që po u jepet është mjaft e vogël. Në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës kanë shtegtuar rreth 5 mijë e 5 qind krerë dele nga pesë barinj dhe tani, pas evakuimit të 200 deleve drejt Bushtricës së Kukësit, atje kanë mbetur 5 mijë e 3 qind. Ndërkohë, në Durrës janë 4 mijë e 5 qind të tjera, të cilat duket se i kanë shpëtuar këtij dëmi të madh që u është shkaktuar nga përmbytjet barinjve të zonave të Bushtricës, Grykës së çajës dhe zonave të tjera. E vetmja ndihmë që kanë marrë deri tani është ajo e 5 kg koncentrat për dele dhe prania e tre veterinerëve të dërguar nga Kukësi.
Gjirokastër
Përmbytjet shtyjnë organizimet për 97-vjetorin e policisë
GJIROKASTëR - Organizimet e parashikuara për t’u zhvilluar nga efektivat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës në kuadër të 97-vjetorit të krijimit të policisë shqiptare janë shtyrë si shkak i situatës së përmbytjeve në veri të vendit. Sipas përfaqësuesve të policisë lokale, veprimtaritë e parashikuara për t’u zhvilluar ditën e mërkurë në kuadër të festës së policisë janë shtyrë, për t’u zhvilluar në një moment tjetër. “Ky veprim është ndërmarrë në shenjë solidariteti me familjet e prekura nga përmbytjet në zonën e Lezhës dhe Shkodrës”, thonë përfaqësuesit e policisë në Gjirokastër. Ndërkohë, iniciativave të institucioneve publike, efektivave të policisë, komunitetit etj., për të mbështetur familjet e përmbytura, i është bashkangjitur edhe dega e Kryqit të Kuq në Gjirokastër. Sipas Aida Hysit, koordinatores lokale të Kryqit të Kuq, vullnetarët e kësaj organizate humanitare kanë nisur punën për mbledhjen e ndihmave materiale për të mbështetur banorët e përmbytur në veri të vendit. Ndërkohë, Kryqi i Kuq Gjirokastër ka vendosur në dispozicion të dhënies së ndihmave financiare edhe dy llogaritë e tij bankare.
B. Shehu