E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pranon se rruga Durrës-Kukës do të jetë me pagesë për çdo makinë

Tiranë, 23 Gusht 2010 NOA Kryeministri Sali Berisha ka pranuar sonte publikisht se rruga Durrës-Kukës do të jetë me pagesë për çdo makinë që do të kalojë në të. Në këtë mënyrë, Berisha ka përgënjeshtruar zërat e dalë nga vetë ministrat e tij që kishin mohuar se rruga e kombit siç njihet, do të bëhej me pagesë.

Ne e ndërtuam, për ta mirëmbajtur nuk e mirëmbajmë dot, sepse nuk kemi organizma të fuqishme, sipërmarrje shtetërore për mirëmbajtje kaq të fuqishme, - iu përgjigj z.Berisha pyetjes se a do të duhet që shqiptarët të paguajnë për të kaluar në të?, - pyetje që iu bë në Kalanë e Petrelës ku sot dha një konferencë për shtyp.

Ne do të detyrohemi që atë tia japim një kompanie të madhe, - pranoi më tej Berisha, - siç bëjnë të gjitha vendet, që siç e keni dëgjuar, ose i japin me koncesion, ose i privatizojnë, sepse mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i rëndësishëm.

Në këtë kuadër, z.Berisha lajmëroi se tuneli tjetër duhet të hapet në shtator dhe shtoi: Ky është një fat shumë i madh, megjithëse ne do të bënim gjithçka dhe kalimin do ta siguronim në nivele të tjera, por punimet e bëra kanë zero presion. Këto punime u projektuan ndoshta nga grupi më i suksesshëm dhe më i njohur në Europë, një grup austriako-gjerman dhe dhanë rezultat të shkëlqyer. Është zhdukur tërësisht presioni. Po bëhet edhe tuneli i dyti dhe përfundon shpresojmë nga fundi shtatorit.

e.r/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›