E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria “autorizon” Parlamentin ta menaxhojë privatizimin e PTK-së

Prishtinë, 23 gusht - Qeveria e Kosovës me rastin e shpalljes së tenderit për privatizimin e ndërmarrjes së Postë-Telekomit nuk ka pranuar të marrë përsipër obligimin për të hyrë në marrëveshje për shitje të aksioneve të PTK-së apo për të vazhduar më tutje me tenderin, shkruan sot gazeta Koha Ditore. Në dokumentin udhëzues të parakualifikimit për tender, i cili u është vënë në dispozicion investitorëve potencialë, thuhet se çdo informatë në këtë dokument mund të ndryshohet me kërkesë të Parlamentit të Kosovës. Një vendim i këtillë, i cili është marrë pasi strategjia për privatizimin e PTK-së ende nuk ka kaluar formalisht në Kuvend, sipas ekspertëve të ekonomisë mund të ndikojë në vlerësimin e investitorëve për këtë ndërmarrje.
Në dokumentin për parakualifkim, apo fazën e parë të tenderit, thuhet se qëllimi i tij është të selektojë operatorët ekonomikë dhe konsorciumet të cilat kanë kapacitetin ligjor, teknik dhe financiar të nevojshëm për të marrë pjesë në tenderin për blerjen e aksioneve të PTK-së. Më 22 dhjetor të vitit 2010 pritet të përfundojë edhe afati për pranimin e aplikacioneve për tender. Për investitorët kanë paraparë kushte të shumta financiare dhe ligjore. Disa nga kushtet që duhet të plotësojnë aplikantët janë edhe të kenë 2 milionë parapagues prej të cilëve pjesa më e madhe në sektorin e telefonisë mobile dhe që në dy vjetët e fundit të kenë regjistruar të ardhura më të larta se 300 milionë euro apo të kenë asete në vlerë prej 500 milionë eurosh. Pjesëmarrja u ndalohet kandidatëve që janë dënuar për dhënie të ryshfetit, mashtrimit dhe veprave të tjera kriminale.
Një kërkesë tjetër është që një  pjesëmarrës të përfshihet vetëm në një aplikacion. Në të kundërtën do të diskualifikohet jo vetëm ai, por i tërë konsorciumi. Po ashtu, anëtarët e konsorciumit nuk mund të zëvendësohen apo të largohen nga gara më vonë se 6 javë para mbylljes së tenderit. 
Kuvendi i Kosovës më 27 korrik ka miratuar në parim strategjinë për privatizimin e PTK-së. Kjo strategji do të shqyrtohet edhe një herë në shtator të vitit 2010. Ftesa publike për të marrë pjesë në tender është bërë në 4 gusht të këtij viti. Në pajtim me ligjet në fuqi procedura e parakualifikimit është faza e parë e tenderit për shitjen e aksioneve në PTK.
Alban Hashani, nga instituti RIINVEST, ka thënë se qeveria është dashur të mos krijojë kunfuzitet nëse  ka bërë një shpallje të interesit apo tender.
“Ka një konfuzion se a kemi të bëjmë me shpallje të interesit apo tender nga mënyra e prezantimit të këtij procesi në publik. Një tender nuk do të duhej të shpallej pa u marrë aprovimi final i parlamentit”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, indikacionet janë që strategjia do të votohet pa ndryshime e megjithatë mundësitë për ndryshim të dokumentacionit të prezantuar do të ndikojnë negativisht në interesimin e investitorëve.
“Hapësira për të rinegociuar pjesë të dokumentacionit të paraqitur e ul interesimin e investitorëve seriozë për pjesëmarrje. Strategjia ka pak gjasa që do të ndryshohet. Por, për hir të opinionit publik qeveria është dashur ta shfrytëzojë këtë kohë për ta qartësuar procesin”, ka thënë ai.
Ndërkaq, sipas kryetares së Komisionit për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, Myzejene Selmani, një konfuzitet i tillë është krijuar qëllimisht.
“Bazuar në ligjin për ndërmarrjet publike aksionet në një ndërmarrje qendrore publike mund të shiten pasi që Qeveria e Kosovës të ketë marrë vendimin për të themeluar Komitetin e Privatizimit dhe pasi që vendimi i këtij komiteti për shitje aksionesh të jetë aprovuar me një shumicë votash në Kuvend. Pasi që ky vendim nuk është aprovuar në kuvend, qeveria ka shkelur vendimin e kuvendit”, ka thënë Selmani.
Ajo ka vlerësuar se çështja e strategjisë ka marrë fund me ofertën për shitjen e PTK-së.
“Në kohën e pushimit qeveria e ka vënë postën në shitje, duke shkelur vendimin e kuvendit. Në këtë rast qeveria ka shkelur mbi të gjitha parimet dhe duhet t’i përmendet kryeministrit Thaçi se i ka harruar fjalët e veta. çështja është se nuk i zbatojnë vendimet e kuvendit”, ka thënë ajo.
Drejtues të projektit për privatizimin e PTK-së kanë pohuar se vendimi për të shpallur tender për privatizimin e PTK-së nuk është i ngutshëm. Ata thonë se të gjitha argumentet tregojnë se tani është momenti i duhur për privatizim pasi që edhe vendet e rajonit po përgatiten për të privatizuar ndërmarrjet e tyre të telekomit. Zyrtarë të MEF-it për menaxhimin e projektit kanë thënë se në bazë të debateve që janë bërë në Kuvend në strategjinë e privatizimit nuk do të ketë ndryshime qenësore që do të mund të ndikonin në interesimin e investitorëve për këtë ndërmarrje.
“Realisht në fokus të debatit që është bërë deri më tani në kuvend kanë qenë çështja e kohës së privatizimit që nuk është më temë diskutimi dhe çështja e përqindjes së aksioneve që do të shiten që po ashtu është shpjeguar arsyeja për privatizimin e shumicës së aksioneve. Ndërkaq, çështjet tjera që janë diskutuar, siç është numri i punëtorëve që do të ruajnë kontratat e tyre të punës me PTK-në do të diskutohen individualisht me secilin ofertues, andaj edhe nuk ndikojnë në interesimin e tyre para kualifikimit”, kanë pohuar ata.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›