E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pret Mirel: Të angazhuar për vizat

Nga ana e tij, Mirel i konfirmoi kryeministrit Berisha, se Komisioni Europian dhe çdo funksionar i tij, ndihet jashtëzakonisht i kënaqur me vendimin e Këshillit, i cili i dha dritën jeshile Komisionit për të shqyrtuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dhe për përgatitjen e pyetësorit përkatës, por edhe me ecurinë shumë të mirë të procesit të liberalizimit të vizave.

Në këtë kontekst, Mirel e përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e reformave të qeverisë shqiptare dhe i shprehu atij mbështetjen  e plotë të Komisionit për të ndihmuar Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në përpjekjet e mëtejshme për të plotësuar të gjitha standardet, në mënyrë që ky proces të ecë me ritme sa më të shpejta. "Ekziston një ndjenjë e përgjithshme në Komisionin Europian që është detyra jonë fisknike të ndihmojmë Shqipërinë për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në BE", u shpreh Mirel.

Gjithashtu, zoti Mirel vlerësoi si shumë të mirë ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave në Shqipëri. Në takim u vlerësua rëndësia e plotësimit sa më të shpejtë e të gjitha kritereve, standardeve dhe praktikave të nevojshme politike, institucionale e ligjore, që këto procese të ecin përpara me shpejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat ekonomike, përfundimi i reformës së pronësisë, forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative, por në veçanti reformat për konsolidimin e kritereve politike të Kopenhagenit, janë dhe mbeten prioritet parësor. 

Kryeministri Berisha e siguroi zotin Mirel se progres-raporti i Komisionit Europian dhe dokumentet e tjera, janë dhe mbeten udhërrëfyesit dhe shtyllat themelore të programit të punës së qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri me dije zotit Mirel masat e fundit të marra nga qeveria shqiptare si: liberalizimi i mëtejshëm i kritereve për lejet e licencat dhe përfshirjen e parimit “heshtja është miratim”, shkurtimi i shpenzimeve administrative, thjeshtëzimi i procedurave fiskale për biznesin, etj.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›