E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret Moratin: Do përgatisim ligjet për energjinë nukleare

TIRANë- Kryeministri Sali Berisha tha sot se Shqipëria ka potenciale të mëdha të energjisë së rinovueshme. Duke u përqëndruar tek energjia bërthamore, Berisha tha se do bëhet gati në këto vite kuadri ligjor për këtë cështje. “Shqipëria do përfundojë gjithë kuadrin ligjor për ngritjen e centraleve bërthamore brenda vitit 2015”, tha Berisha sot gjatë një takimi me Kryetaren e Bashkisë së Milanos, Letizia Morati, e cila është njëkohësisht edhe Komisare e Jashtëzakonshme e qeverisë italiane për "Ekspo-Milano 2015".
Në prani të Kryeministrit Berisha, zonja Morati dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, nënshkruan deklaratën e përbashkët mes dy vendeve mbi "Ekspo-Milano 2015", me temë "Të ushqesh planetin, energji për jetën".
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me znj. Morati, Kreu i Qeverisë e konsideroi "Ekspo-Milano 2015" një prej ngjarjeve më të mëdha të biznesit botëror në dekadën e dytë të shekullit XXI.

Morati theksoi se “Ndaj, jam veçanërisht e nderuar të firmosja këtë Deklaratë të Përbashkët me Shqipërinë, pasi kjo Deklaratë na lejon të fillojmë bashkëpunimin në sektorin e agroindustrisë, të energjisë, të cilët, sigurisht, janë sektorë, ku Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme dhe të punojmë për të studiuar se cilat janë mundësitë e bashkëpunimit shkencor, ekonomik, që i sjellin përfitime si Shqipërisë dhe Italisë”.

Kurse Kryeministri Berisha shprehu bindjen se në "Ekspo-Milano 2015", Shqipëria do të përfaqësohet me shumë projekte të realizuara. Shqipëria, tha Kryeministri, "do të jetë një nga vendet me rritjen më të shpejtë të prodhimit të energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë dhe do të ketë kompletuar të gjithë kuadrin ligjor për shfrytëzimin e energjisë nukleare për qëllime paqësore dhe do të shqyrtohen të gjitha opsionet për fillimin e këtij shfrytëzimi".
"Kjo ekspozitë nuk projektohet thjesht si një muze i arritjeve më të mëdha të teknologjisë dhe biznesit botëror, por si një proces pothuaj universal në të cilin kombet e planetit gjejnë mundësinë për të promovuar të gjitha potencialet e tyre në dy fusha jetike, siç janë enegjia dhe ushqimi, por edhe në fusha të tjera", tha Kryeministri.
Kryeministri shprehu bindjen se "Ekspo-Milano 2015", kjo ngjarje e madhe botërore, do të shndërrohet gjithashtu në një promotor të fuqishëm nga e cila do përfitojë Shqipëria. Energjia dhe ushqimi, sipas Kryeministrit Berisha, "janë dy sektorë prioritarë të qeverisë shqiptare".

Problemet e trafikut dhe transportit në kryeqytet, sipas Kryeministrit Berisha, ishin temë e bisedimeve dypalëshe. "Problemet dhe mangësitë serioze në këtë sektor mundojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Ministria e Punëve Publike do të bashkëpunojë me njërën prej kompanive më kryesore në fushën e transportit të Milanos për të studiuar cila është mënyra më e mirë për të lehtësuar qytetarët e kryeqytetit në lëvizjen e tyre të përditshme", tha Kryeministri Berisha.

Nga ana e saj, zonja Morati theksoi se ofroi Kryeministrit Berisha bashkëpunim për sa i përket studimit të fizibilitetit. “Cështje që lidhet me çështje të trafikut dhe të qëndrueshmërisë së trafikut në qytet, duke qenë se Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe që mund ta shfrytëzojë sa më mirë atë. Dhe, besoj, se do të jetë qeveria dhe autoritetet vendore që do të vendosin si ta shfrytëzojnë këtë studim, që ne ia kemi ofruar falas qeverisë shqiptare”, therksoi ajo.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›