Berisha pret ekipin kombëtar të basketbollit të meshkujve

Kryeministri Berisha priti sot në mesditë ekipin kombëtar të basketbollit të meshkujve në prag të ndeshjes për eliminatorët e kampionatit evropian të basketbollit.
Kryeministri Berisha duke shprehur kënaqësinë e këtij takimi i uroi suksese ekipit tonë kombëtar për ndeshjen e sotme me shpresën që kjo ndeshje të jetë një start i mirë për ndeshjet në vazhdim.
Përfaqësuesit e ekipit kombëtar e falenderuan kryeministrin Berisha për këtë pritje të ngrohtë dhe u shprehen se do të bëjnë më të mirën për ta përfaqesuar denjësisht basketbollin shqiptar dhe për të arritur rezutate të mira.
Kapiteni i ekipit i bëri një prezantim të shkurtër anëtarëve të tij duke bërë të njohur se një pjesë e konsiderueshme e ekipit janë pasardhës të emrave të njohur të basketbollit shqiptar.
Kryeministri shprehu besimin se ekipi ynë kombëtar i basketbollit do të dijë të japë vlerat më të mira dhe traditën e këtij sporti në Shqipëri. "Kam besimin që në këtë kampionat do të shënoni arritje të mëdha. Mënyra serioze me të cilën keni punuar, kombinimi i skuadrës, stërvitja rigoroze janë prerogativa për të patur sukses" theksoi Berisha.
Kryeministri siguroi se mbështetja ndaj sporteve është në vëmendjen e qeverisë dhe për këtë, u shpreh kryeministri Berisha, i kam kërkuar vazhdimisht Ministrisë së Turizmit. Kulturës, Rinisë dhe Sporteve një vëmendje konstante për zhvillimn e sportit në përgjithësi.
Në përfundim të takimit ekipi kombëtar i basketbollit i dhuroi kryeministrit flamurin e federatës shqiptare të basketbollit dhe një bluzë të ekipit tonë kombëtar si dhe një top basketbolli me firmat e të gjithë pjesëtarëve të ekipit.