E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret ministrin palestinez: Paqja, me bisedime

Kryeministri Berisha nënvizoi se vizita e ministrit Al-Maliki në Tiranë është një dëshmi dhe kontribut i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Ministri i Jashtëm i Autoritetit Kombëtar Palestinez vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë zhvillimit të vendit të tij dhe procesit të paqes në Lindjen e Mesme, në dobi dhe të paqes globale.

Kryeministri Berisha nënvizoi se Shqipëria vlerëson se zgjidhja më e drejtë e konfliktit është ekzistenca e dy shteteve Palestinë dhe Izrael, e cila do të krijojë bazat më të mira për një paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe shprehu dhe një herë mbështetjen nga ana e Shqipërisë, të çdo përpjekje të zgjidhjes së çështjes së paqes, në Lindjen e Mesme, nëpërmjet dialogut dhe negociatave.

Ai shprehu bindjen se me përpjekjet e autoriteteve të të dy vendeve dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar do të arrihej një zgjidhje afatgjatë, në interes të paqes dhe prosperitetit të të dy vendeve mike. Ministri Al-Maliki vlerësoi si të rëndësishme mbështetjen e procesit të paqes nga ana e Shqipërisë, si një vend që ka një miqësi dhe marrëdhënie shumë të mira tradicionale me të dy vendet.

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për një thellim të bashkëpunimit në ekonomi, turizëm, tregti, arsim dhe kulturë. Kryeministri Berisha garantoi Ministrin Al-Maliki për mbështetjen e qeverisë shqiptare për forcimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe hartimin e nismave me interes reciprok.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›