E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pret përfaqësuesen e FMN-së, Westin

TIRANË- Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësuesen e Fondit Monetar për Shqipërinë, znj. Ann-Margret Westin me rastin e largimit të saj, pas përfundimit të misionit të FMN-së në Shqipëri. Shqipëria, pasi mbylli me shumë sukses bashkëpunimin shumëvjeçar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kalon në një fazë tjetër bashkëpunimi me ketë institucion duke u bazuar në Artikullin 4.
Sipas burimeve nga kryeministria, bëhet e ditur se Berisha e falënderoi zonjën Ann- Margret Westin për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare, si dhe për kontributin e dhënë nga FMN-ja në zbatimin e reformave të gjithanshme dhe të suksesshme të ndërmarra nga kjo qeveri. Me tej, Kryeministri e siguroi zonjën Westin se në këtë fazë të dytë të bashkëpunimit me FMN-në, sipas Artikullit 4, qeveria shqiptare është përsëri shumë e hapur dhe bashkëpunuese me këtë institucion për të çuar përpara reformat e nisura, si dhe shumë të tjera.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e dhënë dhe për bashkëpunimin dypalësh me qeverinë shqiptare. Ajo theksoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar është i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me qeverinë shqiptare.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›