PD: Akuzat e Ramës, tendencë për të fshehur humbjen
TIRANË- Tendencë për të fshehur humbjen në zgjedhje. Kështu e ka quajtur Partia Demokratike deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilin e cilësoi gjatë një konference shtypi vegël në duart e Berishës.
Pas kësaj PD-ja ka reaguar përmes zëdhënëses, Erla Mëhilli, e cila tha se "në lidhje me sulmet e shëmtuara të Ramës ndaj KQZ, PD deklaron se të gjitha procesverbalet dhe rezultatet e rretheve të Beratit, Shkodrës dhe Tiranës kanë firmat e të gjithë komisionerëve të PS-së të të gjitha niveleve, pa asnjë shënim dhe vërejtje të veçantë".
Ajo ka shtuar më tej se mandatin e 9-të të Fierit, Partia Socialiste ia mori PDI-së. "Numërimi i votave në dy qendrat e Libofshës është bërë në mungesë të vëzhguesve të PD dhe PDI-së, dhe janë bërë vetëm nga komisioneri i PS-së në mungesë të kamerave të filmimit të votave", tha ajo, duke shpresuar se drejtësia do të vihet në vend nga Kolegji Zgjedhor.