Rama-Berishës: Një pushtet i grabitur nuk mbahet dot me pahir
TIRANË- Lideri socialist Edi Rama ka përsëritur edhe njëherë sot nga selia e PS-së se forca që ai drejton është e vendosur të zbardhë krimin elektoral të 28 qershorit dhe të kërkojë me çdo mjet demokratik transparencën e kutive të Beratit, Tiranës e Shkodrës.
"I them Sali Berishës se një pushtet i grabitur nuk mbahet dot me pahir në mes të Europës. PS-ja do të jetë pengesë e pakapërcyeshme në rrugën që ka zgjedhur Berisha"- tha Rama.
Ai ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si një vegël në duart e Berishës, por ka pohuar prerë se në këtë 'betejë' PS-ja ka në dorë fatin e demokracisë.
"Numrat në KQZ janë në duart e Berishës, por fati i demokracisë është në duart tona. KQZ-ja mund ta marrë zvarrë e ta degjenerojë deri në fund procesin, por s'ka asnjë forcë që ta ndalë PS-në në detyrimin e saj për të mbrojtur demokracinë"- ka thënë Rama gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, gjithçka që Berisha ka marrë e mund të marrë deri në fund në rrugë të paligjshme e në shkelje të ligjit, socialistët do ta rimarrin në rrugën e ligjshme të një force të madhe politike, duke mos ngurruar të përdorin çdo mjet, kur pushteti u mohon të drejtën e barazisë para ligjit. Ai ka kujtuar se janë tashmë forca më e madhe e politikës shqiptare.
Rama ka shigjetuar sërish atë që e ka quajtur që në krye të herës çifti i ri i politikës së vjetër Berisha-Meta, duke e konsideruar aleancën e bërë si lidhje të ngutshme për të ndaluar zbardhjen e krimit të 28 qershorit, për të mos lejuar të hapen kutitë e kontestuara, ku PS dhe forca të tjera kërkuan rinumërimin, sepse nga hapja e kutive populli do të shohë qartë atë që Berisha do të fshehë me çdo kusht.