E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha prezanton kandidatët e mazhorancës në Dibër: Ne ndërtojmë të ardhmen, skllevër janë populistët e “rrugës së vetme”, dogmës së Enverit

28-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha në Bulqizë: Ulje të moshës së pensionit për minatorët si dhe rritje të pagave e pensioneve

Shefi i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha, ka vijuar turin e prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleancës për Qytetarin” në rrethin e Dibrës, konkretisht për bashkinë Peshkopi, Bulqizë dhe Klos. Fillimisht Berisha u ndal në qytetin e Peshkopisë ku dhe prezantoi kandidatin për kryetar të bashkisë së mazhorancës, Ilir Krosi.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë qytet Kryeministri i ka garantuar Dibranët se qeveria do të mbështesë çdo projekt për zhvillimin e Dibrës, e cila sipas tij po shndërrohet në epiqendër të fuqishme të zhvillimit rajonal. Në këtë drejtim, Berisha premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm do të asfaltohen të gjtiha rrugët rurale të qarkut Dibër. “Fitoren e 8 majit do ta shndërrojmë në asafaltimin e të gjitha rrugëve të qytetit e komunave të rrethit të Dibrës, ndërtimin e rrugës që lidh qytetin me rrugën e Arbrit, përfundimin e rrugës së Arbrit, lidhjen e të gjitha komunave të rrethit të Dibrës me akset kombëtare, përfundimin e rrugës Macukull-Luzni. Në katër vitet që vijnë, ne do të përfundojmë ujësjellësin e Sopikut, do të garantojmë ujë 24 orë për Peshkopinë, fshatrat e komunat e saj”- u shpreh kryeministri. Falë investimeve të mëdha, tha kryeministri, qeveria do ia dalë të shndërrojë ëndrrat në realitet. Këtu Berisha përmendi projektin e madh të qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë vend të zhvilluar brenda vitit 2017-ë. “Shumë e shpejt do të jetë dita, kur Shqipëria të renditet në grupin e vendeve me industri të zhvilluar, kur Shqipëria të renditet në një ndër vendet me moshën dixhitale më të avancuar, kur Shqipëria të renditet në një nga vendet me arsimin më të zhvilluar”- tha Berisha. Shqipëria nuk ka një vend tjetër, me ujë, dritë e diell, me një tokë më pjellorja që mund të bëhet, prandaj u bëri thirrje fermerëve të Dibrës që të guxojnë, të dhjetëfishojnë, kopshtet, pasi i garantoi qytetarë se qeveria do të financojë çdo rrënjë dhe se siç po ndërtohen rrugët më të mira, do të arrihet që Dibranët të kenë sistemin e vaditjes ndër më të mirët që ekziston. Gjithashtu, duke u fokusuar te projektet e qeverisë, Berisha i bëri thirrje kreut të socialistëve, Edi Rama që të mos i provokojë shqiptarët me sloganet e “rrugës së vetme”, pasi atë rrugë ata e braktisën 20 vjet më parë. “Vija për herë të parë në Dibër dhe u dashurova me klimën, peizazhin e njerëzit e saj. Por, të dashur të rinj e të reja, çdo ditë punoja me zemër të thyer, me një brengë të thellë në shpirt, sepse ato burra e gra, ato nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër që unë mjekoja në spitalin tuaj, ditën që dilnin nga spitali më refuzonin recetën dhe me thonin se ilaçet nuk i blenin dot. Unë përpiqesha t’u jepja zemër atyre dhe ata menjëherë më bënin llogarinë, se aq sa merrnin në kooperativën bujqësore nuk u mjaftonte për copën e bukës së misrit. Kjo ishte rruga e vetme. I nderuar zoti Edi Rama mos i lëndo qytetarët shqiptarë me hijen e asaj rruge, se nuk ka ndërmend ta ndjekë asnjë prej tyre”- deklaroi kryeministri Berisha.

Prezantohen kandidatët për kryetar bashkie në qytetet Bulqizë dhe Klos
Kryeministri Berisha është ndalur në Bulqizë e Klos, për të prezantuar kandidatët e këtyre qyteteve përkatësisht, Roland Ketën dhe Ramazan Mjeshtrin. Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve të Bulqizës ai tha se do të bëhet gjithçka për një jetë më të mirë për minatorët dhe banorët e këtij qyteti, duke filluar nga lokalet e përshtatshme për ta, nga ulja e moshës dhe rritja e pensionit e deri në ushqim falas. Duke e cilësuar rrugën e Arbrit, rrugën e dytë të Kombit, kryeministri u shpreh se krahas kësaj do të vazhdojë ndërtimi i unazës verilindore dhe juglindore të vendit. “Në 4 vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë, rrugicë të këtij qyteti, rrugët e fshatrave, të komunave, të ndërtojmë ujësjellësin e Gjuricës, Shupenzës dhe do të furnizojmë me ujë 24 orë banorët e Bulqizës. Brenda këtij mandati, ju të dashur qytetarë dhe qytetare të Bulqizës do të keni Tiranën në të njëjtën distancë që e ka Durrësi sot”- u shpreh kreu i qeverisë.
Nga Klosi kryeministri Berisha krahas ndërtimit të plotë të infrastrukturës së qytetit dhe fshatrave të tij, veçoi ndër projektet madhore për zhvillimin e kësaj zone ngritjen e industrisë së përpunimit të kromit, nga e cila pushteti vendor do të përfitojë rentën.
“Para disa ditësh ishte këtu vetmitari i rrugës së vetme, zoti Edi Rama. E dëgjova disa herë që ju cilësonte ju skllevër. Skllevër janë ata që qarkullojnë dogmën e Enver Hoxhës nëpër Shqipëri. Ata janë skllevër të shqiptarëve. Kurse ne jemi gratë dhe burrat të cilët me mundin, me djersën, me përkushtimin tuaj po ndërtojmë të ardhmen e vendit. Jemi gratë dhe burrat që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, që lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën”, deklaroi para qytetarëve lideri i maxhorancës. Sipas tij, “Aleanca për qytetarin” është alternativa e mundit, e djersës, e rrugës, e shkollës, e kopshtit, e rrudhave në ballë, por e nderit, dinjitetit, ndërtimit të një rruge të begatë për të ardhmen. Beisha garantoi banorët e kësaj zone se do të asfaltohet rruga Klos-Burrel, si dhe do të ndërtohet rrugën Klos-Urakë dhe Zenisht-Muhërr, lidhja tradicionale me Dibrën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›