Republikanët i konsiderojnë si spekulime publikimet në media, sipas të cilave ka përplasje brenda koalicionit PD-PR
Madhi: Komentet janë dashakeqëse, koalicioni është i suksesshëm dhe i zotuar për triumfin e 8 majit
Jam sot në këtë komunikim me ju për të shprehur qëndrimin e Partisë Republikane lidhur me atë çka është transmetuar sot në një nga organet e shtypit të përditshëm sipas së cilit: “Ka çarje te koalicionit PD+PR”. Partia Republikane informon mbarë opinionin publik dhe zgjedhësit e saj se nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë çarje midis Partisë Republikane dhe asaj Demokratike.
Partia Republikane ka qënë dhe mbetet aleatja dhe mbështetësja më e fuqishme e Partisë Demokratike dhe beson në fuqinë e këtij koalicioni pavarësisht dëshirës apo interesave okulte që mund të kenë individë të ndryshëm. Komentet gazetareske që i bëhen konferencës së shtypit të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” në Komunën Bërdicë janë sa dashakeqe aq edhe spekulative. Rezervat që ka deklaruar kandidati i “Aleancës për Qytetarin” të Komunës Bërdicë janë të adresuara përkundrejt personash të veçantë që nuk përfaqësojnë zyrtarisht qëndrimin e Paritsë Demokratike. Qëndrimet e këtyre personave në mbështejte të kandidatëve alternativë ne i vlerësojme si fenomene të karakterit lokal shumë të izoluara dhe që rëndom kanë ndodhur në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri ku kandidatë të ndryshëm pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike kanë zgjedhur të kandidojnë si kandidatë të pavarur. Në bindjen tonë edhe pse rreth këtyre kandidatëve mund të ketë individë të caktuar që i japin mbështetje nuk shprehin në asnjë mënyrë dhe nuk kanë asnjë ndikim në marrëdhëniet e koalicionit.
Partia Republikane dekalaron me bindje se: “Ne jemi në rrugën e bashkëpunimit politik me koalicionin “Aleanca për Qytetarin” si një faktor shumë i rëndësishëm i kësaj aleance fituese e cila më 8 maj do të konfirmojë mbështetjen e gjerë të zgjedhësve dhe fitoren historike të saj në këto zgjedhje”.