E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastriot Islami: Analiza matematikore shpall PS-në humbëse në disa minibashki të Kryeqytetit- Edi Rama nuk fiton mandatin e 4-ët

28-04-2011 / Gazeta 55

- Slogani “e vetmja rrugë”, sindromi i çadrës, bilbordet e liderit të buzëqeshur me një sfod flu me gra dhe sponsorizimi klientelist për të sulmuar perëndimin sa herë opozita kritikohet për lëvizjet e saj jashtë institucioneve, është një përvojë jo e suksesshme dhe një precedent i rrezikshëm

- “Aleanca për Qytetarin” sipas analizës së Islamit është e favorizuar në njësitë bashkiake 6, 9, 10, ndërsa PS vetëm në njësinë 3. Nisur nga kjo dhe nga njësitë e tjera të paqarta në prirjen e tyre elektorale, deputeti socialist parashikon një përmbysje nga 9-2 në favor të PS-së që ishte në 2007-ën, në 7-4 në 8 maj 2011, në favor të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Kësisoj, thotë Islami është në pikëpyetje të madhe rizgjedhja e Edi Ramës për një mandat të katërt në bashkinë e Tiranës

Edhe një herë tjetër sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, parashikon reduktim të ndjeshëm të Partisë Socialiste në minibashkitë e Tiranës, përkundër përpjekjes së tretë të selisë roze për të zhdukur LSI-në. Islami thotë se cdo analizë matematikore, nisur nga rezultatet e mëparshme e shpall Partinë Socialiste humbëse në disa minibashki kryesore të Kryeqytetit. Në një analizë botuar në një të përditshme të Tiranës, Islami është mbështetur në rezultatet e zgjedhjeve të 2009-es. Penalizimi i PS sipas Islamit nis nga slogani “e vetmja rrugë”, sindromi i çadrës, bilbordet e liderit të buzëqeshur me një sfod flu me gra dhe sponsorizimi klientelist për të sulmuar perëndimin sa herë opozita kritikohet për lëvizjet e saj jashtë institucioneve. Islami nënvizon se retorika e ashpër e pamiratuar nga shqiptarët e ndërkombëtarët është një përvojë jo e suksesshme dhe një precedent i rrezikshme.
Faktorët që do të ndikojnë në rezultat janë analiza e rezultateve të 2009-ës dhe projeksioni i tyre në 2011-ën, madhësia e LSI, e cila është para një testi nëse do të luajë kingmakerin, rolin përcaktues në ndërtimin e mazhorancës edhe në këto zgjedhje, si dhe pjesëmarrja në votime, e cila tradicionalisht në zgjedhjet vendore ka qenë e ulët.
Minibashkitë me shanse të sigurta fitoreje sipas Islamit janë 8 dhe dhjeta për demokratet dhe 5 për socialistët. Por ai vë në dukje se PD, i ka më të garantuara njësitë e saj, socialistet në njësinë e tyre bastion se 5. Kjo për shkak se rezultati në këtë njësi kësaj here do të varet nga performanca e LSI, LZHK e DDIU, në favor të aleancës për qytetarin dhe performanca e PBDNJ në favor të PS.
Mesatarisht e favorizuar “Aleanca për Qytetarin” edhe në njësitë bashkiake 6, 9, 10, ndërsa PS vetëm në njësinë 3, ku rezultati mund të përmbysej në favor të “Aleancës për Qytetarin” sipas performancës së tre aleatëve të saj të sipërpërmendur, por dhe në çmasë elektorati i PD do te konsolidohet pro kandidatit të LSI me prejardhje nga PS.
Me rezultat të ngushtë e të diskutueshëm parashikohen nga Islami njësitë 1 dhe 7, 2 dhe 4, ku votuesit do të ndikohen nga performanca e kandidateve për të marrë më shumë ose më pak vota se subjektet mbështetëse, si dhe nga performanca e LSI e LZHK dhe PBDNJ për kampet përkatëse. Në njësinë 7 mbetet për t’u parë dhe roli i PDIU, e cila garon me kandidatin e saj në këto zgjedhje.
Në mbyllje të kësaj analize Islami shikon se numri 9 i minibashkive të fituara në favor të PS mund të zvogëlohet, si një lajm i keq, por gati i sigurt për PS dhe kosto ndaj politikes radikale e përçarëse. Raporti 9 me dy sipas tij do të përmbyset në 7 me 4, që do të thotë përmbysja në 45-55% të rasteve, leksion tjetër i hidhur për të majtën e përçarë pas dështimeve në 2005 dhe 2009 dhe suksesit relativ të 2007-ës, sikundër thekson Islami. Ka dhe shumë arsye të tjera që do të ishin në themel të kësaj përmbysje që nuk do të ndodhte vetëm në 11 minibashkitë, thekson ai duke e lënë frazën të hapur për mendimin e lexuesit, lidhur me garën për Bashkinë e Tiranës, ku me sa duket sekretari Socialist i Çështjeve zgjedhore ka vënë në pikëpyetje edhe Edi Ramën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›