Berisha prishet me Metën e po i jargavitet Ramës?
Duket se Berisha ka hequr dorë nga ideja për të zgjedhur një president nga radhët e PD-së. Këtë kartë ia ka djegur Ilir Meta. Ka kohë që ky i fundit e ka bërë të qartë qëndrimin e vet, por ne të tjerëve na u desh dita e sotme, më saktë takimi i sotëm i orës 13.00, që të bindeshim se Meta nuk lëviz nga pozicioni i tij. Berisha ka dalë nga takimi pikërisht me këtë ide: Metën nuk duhet ta llogarisë si aleat presidencial.
Në këto rrethana ka ndryshuar qëndrim me 180 gradë si pa të keq. Madje, po kërkon ta shesë veten si qejfli negociatash e konsensusi, e si partizan i zgjedhjes së Presidentit qysh në raundin e parë. Jemi të gatshëm ta zgjedhim [këtë punë] qysh në raundin e parë, tha ai. Është vërteta ai? Po, po, ai është.
Dhe tani po i dërgon sinjale mirëkuptimi Edi Ramës, si kurrë më parë: Me zotin Rama, pa u takuar fare, kemi marrë vendime për reformat më të thella në historinë e vendit, [prandaj] ky nuk është show (me këtë i dha përgjigje Ramës që kish thënë pak më parë se nuk kish ndërmend të bënte show me Berishën. M.N.). Kur ne kemi realizuar ndryshimet më të thella kushtetuese, ne nuk bëmë një takim që tu deklaronim gazetarëve që ja çfarë mund të bëjmë ne; ne ua lamë fjalën veprave. Rruga është e shtruar; ju e shihni.
Ku don të dalë ky bandill, që ka veshur papritur maskën e gentleman-it? Me siguri, është i tërbuar me Ilir Metën, dhe tani ndoshta kërkon të bëjë një zgjidhje për inat të Metës, dmth një zgjidhje vetëm me Edi Ramën, në mënyrë që ta çfaktorizojë Metën në muhabetin presidencial. Dhe me këtë arrin dy qëllime. Së pari i tregon Metës se ai vlen veç nëse bën lojën e Berishës; nëse sbën lojën e Berishës, nuk ka asnjë vlerë, dhe për pasojë mbetet vrima e fundit e kavallit presidencial. Së dyti, kërkon të rindezë sherrin mes Ramës e Metës.
Kuptohet, të gjitha këto ndodhin në rastin kur Rama ledhatohet nga këto krefje që po i bën Berisha e bie dakord që nyja presidenciale të zgjidhet veç mes tij e Berishës. Por kjo ska gjasa që të ndodhë. Nuk ka asnjë gjasë pra që Rama ta tradhtojë Metën në këtë moment që Meta vetë po i bën shërbimin më të madh. Berisha do të dalë i humbur, gjithsesi.
http://respublica.al/artikuj/2012/5/25/berisha-prishet-me-meten-e-po-i-jargavitet-rames
