Berisha rihap negociatat për kutitë: Patozi mandatohet si negociator me PS-në

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, është negociatori i mazhorancës për zgjidhjen e ngërçit politik me opozitën. Lajmin e dha dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të PD-së, duke theksuar se një ftesë do t’i dërgohej edhe kryetarit të grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçit, për të nisur negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjet mes palëve. Sipas Berishës, Patozit i ishte deleguar nga mazhoranca e drejta që të gjente me kundërshtarin e tij politik një zgjidhje të bazuar mbi rezolutën e Parlamentit Europian mbi situatën në Shqipëri. “Propozimi im është konkret. Astrit Patozi ka mandat të plotë të takohet me z.Gramoz Ruçi, ose me atë që do të ngarkojë PS-ja, por ne ngarkojmë kryetarin e grupit të ulet të diskutojë për konkretizimin e rezolutës dhe i garantoj opozitës se ne kemi vullnet të plotë për zbatimin e saj”, deklaroi dje Berisha. Sipas tij, mazhoranca është e hapur për të riformuluar objektin aktual të komisionit hetimor, duke siguruar transparencë në respekt të shtetit ligjor. Në mënyrë të qartë, Kryeministri theksoi se mazhoranca ishte e gatshme për ta hetuar në këtë komision, materialet e kutive të votimit, por jo të bënte aty rinumërim të votave. “Dua të theksoj se nëse insistohet për rinumërim të votave në mënyrë absolute, nuk kam asgjë kundër rinumërimit të çdo vote, të ndryshimit të çdo rezultati. Veçse kjo të nderuar deputetë dhe deputete, mund të bëhet vetëm mbi bazën e respektimit të plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave”, theksoi Berisha. Në mënyrë të detajuar, kreu i qeverisë theksoi se rinumërimin e votave ai do ta zbatonte vetëm kur kjo të vendosej nga Gjykata Kushtetuese ose Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Nëse dëshirojnë rinumërimin dhe insistojnë, t’u drejtohen gjykatave shqiptare dhe të huaja, pasi Gjykata e Strasburgut prevalon mbi gjykatat e vendit. Qeveria ime çdo javë vendos për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, sado që shpesh herë janë të dhimbshme dhe shumë të kushtueshme”, shtoi Berisha. Nga ana tjetër, Berisha deklaroi se PS është e lirë t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të bërë gati materialet e votimit për hetimin parlamentar.
Ky qëndrim i Kryeministrit erdhi pak ditë pas miratimit nga ana e Parlamentit Europian të rezolutës për proceset integruese të vendit, ku një vend të veçantë zinin edhe rekomandimet e eurodeputetëve për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, i cili prej një viti mban të tensionuar situatën politike në Shqipëri. Kjo rezolutë kërkon në mënyrë të qartë zgjidhjen e ngërçit politik, për të avancuar drejt rrugës së vendit tonë në BE. Nga ana tjetër, rinisja e negociatave vjen pas takimit që kreu i qeverisë zhvilloi dje në zyrën e tij me ambasadorin e Belgjikës për Shqipërinë, përfaqësues i vendit, i cili që nga muaji korrik ka marrë presidencën e radhës së Bashkimit Europain. Në këtë takim ka qenë prezent edhe ambasadori i Shqipërisë në KE, Helmut Lohan.