E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhani Ciko, titull nga Akademia Imperialis

Vlerësimi

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës, dirigjenti Zhani Ciko, është nderuar me një titull ndërkombëtar. Akademia Imperialis i ka akorduar “Yllin e Artë Akademik Ndërkombëtar”, me regjistrimin në Librin e Artë të Akademikëve të Mëdhenj. Ky çmim i është dhënë me motivacionin “Me profesionalitetin e tij të madh, impenjimin dhe humanizmin e spikatur, ka arritur të flasë për Paqen dhe të frymëzojë ndjenjat më të thella të dashurisë së mrekullueshme universale, përmes gjuhës unike, e cila arrin direkt në zemrat e njerëzve: Muzikës”. Akademia Imperialis, me qendër presidenciale në Francavilla, Qendër Kombëtare në Romë dhe në Delegacionin Europian në Madrid, është një nga akademitë më të vjetra europiane, themeluar më 1705 nga Shkëlqesia e tij mbretërore, kardinali Giuseppe Renato Imperiali, me qëllim që të pasurojë dijet dhe favorizojë proceset e integrimit europian dhe dialogun mes popujve. Akademia Imperialis i realizon synimet e saj përmes një qendre studimore akademike dhe disa organizmave akademikë, kryen veprimtari të dendur dhe akordon tituj shkencorë akademikë të disa niveleve, ku titulli më i lartë është “Grand Academico Imperiali”. Zhani Ciko, i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh”, mban në të njëjtën kohë medaljen e lartë të akorduar nga shteti francez, “Kavalier i Arteve dhe Letrave”, dhe së fundmi Yllin e Artë “Akademik i Madh” i Akademisë Ndërkombëtare Imperialis. Ceremonia e dorëzimit do të organizohet në vjeshtë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›